Lifestyle

Pesë këshilla të top instruktorëve të fitnesit për ushtrime më efektive

Pa marrë parasysh se cilat lloje të ushtrimeve ju pëlqejnë, puna e instruktorit të fitnesit është ta hartojë një orë e cila do t'ju ofrojë trajnimin më të mirë.

Megjithatë, ka mundësi ta keni vënë re se instruktori juaj herë pas here i përsërit ushtrimet ose jep udhëzime të ndryshme për femrat dhe meshkujt, transmeton Koha.net. Për të gjitha këto ekzistojnë arsye të mira.

Revista Livestrong i radhit pesë gjëra të cilat mund të mos i keni ditur në lidhje me orët e juaja të preferuara të fitnesit, të cilat i kanë zbuluar instruktorët me eksperiencë shumëvjeçare.

Gjithmonë fillimisht kushtojani 20 minuta trajnimit kardio

Djegia e yndyrës është objektivi më i shpeshtë i atyre që ushtrojnë. Pa marrë parasysh nëse shkoni në palestër për transformim më serioz të trupit tuaj, ose thjesht për ta ruajtur formën e arritur, trajnimi kardio duhet të jetë pjesë e rëndësishme e regjimit tuaj.

Me qëllim që trupi juaj ta fillojë procesin fiziologjik të djegies së yndyrës, ju duhet ta rritni në mënyrë të konsiderueshme ritmin e zemrës për të paktën 20 minuta rresht. Ky është një fillim i mirë, kështu që nëse e mbani ritmin më gjatë, trupi juaj do ta vazhdojë procesin e djegies së yndyrës.

Një nga mënyrat për ta bërë këtë janë trajnimet HIIT (High Intensity Interval Training), pra trajnimet intervalore të përbëra nga një seri afatshkurtër e serive kardio intensive me një pushim aktiv. Ky mund të jetë vrapimi, ngarkesa në një biçikletë ushtrimesh, etj.

Instruktorët nuk i përsërisin ushtrimet pa arsye

Instruktorët nuk duan vetëm të humbin kohë. Ekzistojnë shumë gjëra që ata i përsërisin për shkak se njerëzit shpesh i bëjnë të njëjtat gabime deri sa nuk e arrijnë formën e duhur. Kur bëhet fjalë për ushtrimet, trupi ynë ka tendencë të punojë kundër nesh deri sa nuk e ushtrojmë ndryshe. Vetëm me ekzekutimin e duhur të ushtrimeve maksimizohet efektiviteti i tyre.

Përveç kësaj, instruktorin tuaj duhet ta përjetoni si tifoz. Ai i përsërit gjërat edhe për t’ju motivuar kur ndieni se nuk mund të vazhdoni.

Rëndësia e renditjes së ushtrimeve

Ekzistenca e një renditjeje të caktuar të ushtrimeve është e rëndësishme në krijimin e një ore të suksesshme të palestrës, si dhe krijimin e të gjithë programit të trajnimit. Çdo ushtrim e ka një qëllim të veçantë. Orët të cilat janë të fokusuara në forcë dhe formimin e trupit janë krejtësisht të ndryshme nga ato për trajnimin kardio, përcjell Koha.net. Tek të parat dominojnë lëvizjet izometrike të cilat e maksimizojnë djegien e kalorive, ndërsa tek të dytat lëvizja në hapësirë me fokus në të gjithë trupin dhe lëvizjet që përfshijnë nyje të shumta.

Trupi i mashkullit dhe i femrës reagon ndryshe në të njëjtat ushtrime

Struktura e muskujve ndryshon në mënyrë të konsiderueshme në mes të gjinive. Meshkujt për nga natyra janë të pajisur me një përqendrim më të lartë të grupeve muskulore të tipit 2 apo muskujve me lëvizshmëri të shpejtë. Ata janë përgjegjës për lëvizje të mprehta dhe të fuqishme si kërcimet. Femrat kanë më shumë muskuj të tipit 1, që është arsyeja se pse më shpesh gravitojnë drejt ushtrimeve kardio.

Megjithatë, është e rëndësishme që si njëri tip ashtu edhe tjetri të punojnë kundër asaj për çfarë kanë prirje. Nëse ushtrimi juaj i preferuar është vrapimi në shirit, atëherë më mirë ngrini pak pesha dhe bëni ushtrime të forcës. Gjithashtu, në qoftë se kurrë nuk do të bëni ushtrime kardio, atëherë kyçuni në orën argëtuese e cila e përfshin një shumëllojshmëri të lëvizjeve. Në këtë mënyrë do t’i aktivizoni grupet e muskujve, të cilët me siguri deri atëherë janë neglizhuar gjatë ushtrimeve. Ideja e secilit regjim në fitnes është të krijohet një ekuilibër mes forcës dhe fleksibilitetit të llojeve të ndryshme të grupeve të muskujve, si dhe të muskujve që i shënjestrojmë. Ekuilibri është mënyra më e mirë për t’i parandaluar lëndimet për shkak se ai siguron qëndrueshmëri.

Nuk keni nevojë gjithmonë të bëni zgjatje të muskujve

Në disa ushtrime zgjatja e pjesëve statike të trupit bëhet në fund, por në disa të tjera nuk është e nevojshme për shkak se ato përfshijnë më pak ose më shumë zgjatje dinamike. Ekzistojnë lloje të ndryshme të zgjatjeve, por të gjitha shërbejnë për të njëjtin qëllim. Zgjatjet dinamike mund të jenë një ushtrim kardio për veten.