Lifestyle

“Zika” nga “armik” mbase mund të rezultojë “mik”

Virusi “Zika”, që shkaktoi panik në mbarë botën gjatë vitit 2016, e sidomos në Brazil, duket se mund t’i shërbejë shkencës, këtë herë për të mirën e njerëzimit.

“Zika”, i cili transmetohet nga mushkonjat, shkakton mikrocefali apo përmasa të vogla të trurit dhe kokës te foshnjet që lindin nga një nënë e infektuar nga virusi.

Por, aftësia e “Zikës” për të dëmtuar trurin mund të përdoret për ta mbrojtur atë nga qelizat kancerogjene, që nuk kurohen dot.

Eksperimente të shumta treguan se, injektimi i “Zikës” në tru bëri që të tkurren tej mase tumoret agresive te minjtë, ndërsa qelizat e shëndetshme të trurit nuk u prekën nga virusi.

Përdorimi i viruseve kundër kancerit nuk është asgjë e re, por përdorimi i “Zikës” si armë është një risi.

Shkencëtarët thonë se “Zika” pati sukses të njëjtë edhe tek indet e trurit njerëzore të dhuruara, megjithëse eksperimentet te njerëzit janë ende larg.

Sekreti i suksesit duket se janë qelizat staminale, të cilat në trurin e bebeve janë me shumicë dhe prandaj “Zika” shkakton aq shumë dëme. Por, te truri i rritur, qelizat staminale thuajse nuk ekzistojnë, kështu që “Zika” sulmon tumoret.

Shkencëtarët nga Universiteti Mjekësor i Uashingtonit dhe ai i Kalifornisë, që kryen eksperimentet, thanë se zbulimi është shumë i rëndësishëm dhe se, me pak modifikime gjenetike, në mënyrë që “Zika” të mos jetë aq agresiv sa në natyrë, do të kemi një “armë” fenomenale kundër tumoreve në tru.