Lifestyle

Mosha biologjike arsyeja pse ndiheni më të vjetër se që jeni

Një studim i ri mbështet një numër në rritje kërkimesh që sugjerojnë se mosha jonë biologjike, e cila ndryshon nga mosha kronologjike e një personi, tregon se trupat tanë janë të aftë të ndryshojnë procesin e plakjes biologjike.

Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh ka zbuluar shenja të plakjes biologjike, që sipas zbulimit, rriten pas ngjarjeve stresuese të mëdha dhe të paplanifikuara si operacionet e mëdha, shtatzënia ose një infeksion serioz. Ata zbuluan gjithashtu se pas rikuperimit nga stresorët e lartpërmendur, shenjat "u kthyen" në nivelin e tyre fillestar, shkroi Science Alert.

Ndryshimet epigjenetike si reflektim i ekspozimit ndaj stresit

Këto të ashtuquajtura ndryshime epigjenetike mund të pasqyrojnë ekspozimin e një personi ndaj stilit të jetesës dhe faktorëve mjedisorë si kequshqyerja, infeksioni ose stresi në fëmijëri ose më vonë në jetë.

Epigjenetika është një disiplinë shkencore që studion ndikimin e faktorëve të jashtëm në ndryshimin dhe shprehjen e gjeneve, domethënë merret me atë se kur dhe në çfarë rrethanash do të aktivizohen gjenet që në fund të fundit nënkuptojnë shëndet ose sëmundje. Ndryshimet epigjenetike shënojnë kalimin e kohës dhe mund të përdoren si një lloj 'ore' molekulare që vlerëson moshën biologjike të indeve dhe organeve në krahasim me moshën kronologjike të një personi.

Fokusimi në kthimin e procesit biologjik të plakjes

Kohët e fundit, ata janë fokusuar në gjetjen e mënyrave për të "rikthyer" orët epigjenetike, ose për të ndryshuar procesin biologjik të plakjes.

Pavarësisht besimit të përhapur se mosha biologjike është të paktën disi fleksibile, shkalla në të cilën mosha biologjike pëson ndryshime të kthyeshme gjatë gjithë jetës dhe ngjarjet që shkaktojnë ndryshime të tilla mbeten kryesisht të panjohura, tha biologu molekular i Shkollës Mjekësore të Harvardit, Vadim Gladyshev.

Kjo nuk do të thotë se shkencëtarët nuk kanë hasur në rezultate befasuese në të kaluarën që sugjerojnë se plakja biologjike është e kthyeshme, madje edhe te njerëzit. Hulumtimet tregojnë se, pavarësisht ngarkesës që mban fëmija i palindur në trupin e nënës, qelizat e saj ‘rinohen’ gjatë shtatzënisë, duken ‘më të reja’ sesa duhet të jenë sipas moshës kronologjike.

Një tregues i qartë në studim - ekspozimi ndaj stresit rrit moshën biologjike

Në kërkim, u shfaq një tregues i qartë - ekspozimi i një individi ndaj stresit rrit moshën e tij biologjike, shkruajnë studiuesit.

Studiuesit theksojnë se është një gjë të vëzhgosh luhatjet në proceset trupore dhe krejt tjetër të përpiqesh t'i përdorësh ato në mënyrë terapeutike për të rikthyer efektet e plakjes. Trupi është i aftë për shumë gjëra të mahnitshme që mjekësia moderne mezi mund t'i përsërisë, dhe ne ende nuk e dimë nëse këto ndryshime afatshkurtra në plakjen qelizore kanë ndonjë efekt të qëndrueshëm ose të dukshëm në shëndet.