Lifestyle

Qentë dhe macet ndihmojnë në mbrojtjen e fëmijëve ndaj alergjive

Fëmijët që jetojnë me mace ose qen gjatë foshnjërisë së hershme mund të kenë më pak gjasa se fëmijët e tjerë të zhvillojnë alergji ushqimore, sipas një studimi të ri.

Studimi analizoi të dhënat nga mbi 65,000 fëmijë nga Japonia. Ai zbuloi se fëmijët e ekspozuar ndaj maceve ose qenve shtëpiak kishin një rrezik 13% deri në 16% më të ulët të të gjitha alergjive ushqimore krahasuar me foshnjat në shtëpitë pa kafshë, shkroi CNN. 

“Gjetjet tona sugjerojnë se ekspozimi ndaj qenve dhe maceve mund të jetë i dobishëm kundër zhvillimit të alergjive të caktuara ushqimore, duke lehtësuar kështu shqetësimet për mbajtjen e kafshëve shtëpiake dhe duke reduktuar barrën e alergjive ushqimore”, shkruan autorët.

Studimi zbuloi se fëmijët e ekspozuar ndaj maceve kishin më pak të ngjarë të zhvillonin alergji ndaj vezëve, grurit dhe sojës, ndërsa ata të ekspozuar ndaj qenve kishin më pak të ngjarë të kishin alergji ndaj vezëve, qumështit dhe arrave.

Mekanizmi i saktë mbetet i paqartë, por ekspertët thonë se ekspozimi ndaj kafshëve shtëpiake mund të forcojë mikrobiomën e zorrëve të një foshnjeje, qoftë drejtpërdrejt ose tërthorazi.

Jonathan Bernstein, president i Akademisë Amerikane të Alergjisë, Astmës dhe Imunologjisë, thotë se papastërtitë dhe materialet e tjera të sekretuara nga kafshët shtëpiake mund të jenë një gjë e mirë.

“Është thelbësore që këto ekspozime të bëhen herët derisa sistemi imunitar po zhvillohet, ndërsa zorrët po zhvillohen, sepse duket se është një rrugë e rëndësishme për sensibilizimin”, tha Bernstein.