Lifestyle

Përse agjërimi ekziston në disa fe

Myslimanët në gjithë botën kanë mirëpritur nisjen e Ramazanit, një muaj të agjërimit. Për një muaj agjëruesit nuk hanë e pinë nga mëngjesi deri në perëndimin e diellit. Por myslimanët s’janë të vetmit që përballen me ditë të agjërimit. Edhe në fetë tjera ka periudha agjërimi. Të krishterët agjërojnë gjatë kreshmës, periudhë 40-ditore e pendesës dhe lutjes para Pashkëve, që shënon ringjalljen e Krishtit nga vdekja.

Agjërimi nga fetë praktikohet për shumë arsye që përfshijnë pastrimin shpirtëror e vetëdisiplinimin. Agjencia prestigjioze e lajmeve “Associated Press” ka renditur disa prej agjërimeve:

Budizmi

Në budizëm, agjërimi njihet si një nga metodat për të praktikuar vetëkontrollin. Budistët kryesisht përmbahen nga ushqimet e forta pas mesditës çdo ditë.

Krishterimi

Në krishterim, agjërimi përdoret si mënyrë për të pastruar trupin, praktikuar vetëkontrollin dhe për të kursyer burimet e për t’ua dhënë të varfërve.

Shumë të krishterë agjërojnë me pritjen se do të përjetojnë më fuqishëm shpirtin e shenjtë.

Gjatë kreshmës, shumë të krishterë respektojnë periudhën 40-ditore të pendimit, lutjes e agjërimit. Sivjet Pashkët bien më 9 prill për shumicën e të krishterëve. Vërehet më së shumti në ditët para pashkëve. Sivjet pashkët janë më 9 prill.

Të krishterët përmbahen nga të ngrënit mish të premteve gjatë kreshmës, dhe disa për të gjithë periudhën. Disa heqin dorë edhe nga kafeja, ëmbëlsirat apo çka do që e shohin si sakrificë personale.

Kisha katolike nuk e konsideron peshkun si mish dhe ai mund të konsumohet.

Hinduizmi

Në hinduizëm, agjërimi s’është obligativ, por akt vullnetar për pastrimin shpirtëror. Dita më e rëndësishme konsiderohet dita e 11-të e çdo cikli hënor ndërsa hëna rritet e zbehet. Hindusët gjithashtu agjërojnë gjatë festave të caktuara si pjesë e disiplinimit shpirtëror. Njerëzit mund të agjërojnë plotësisht apo edhe pjesërisht apo thjesht të heqin dorë nga ushqimet e preferuara për periudhë të caktuar kohore.

Islami

Përmbajtja nga çdo lloj ushqimi – as edhe një gllënjkë ujë – dhe marrëdhëniet seksuale nga agimi deri në perëndim të diellit gjatë muajit të Ramazanit, konsiderohet si akt devotshmërie e përkushtimi ndaj Zotit.

Dijetarët islamë thonë se në agjërim përfshihet edhe kultivimi i mirënjohjes dhe dhembshurisë për ata që janë më të varfër.

Bërja e donacioneve dhe ndihma për nevojtarët janë shenja dalluese të muajit, në të cilin zakonisht besimtarët u kushtojnë më shumë kohë lutjeve e leximit të Kuranit.

Shumë prej tyre e shohin agjërimin si akt të pastrimit e përtëritjes shpirtërore.

Në islam, agjërimi konsiderohet një nga pesë shtyllat kryesore të fesë.

Agjërimi pasohet nga iftari, që shënon prishjen e agjërimit. Shpesh në iftare njerëzit mblidhen me më të dashurit e tyre. Syfyri është ushqimi para agimit të diellit.

Judaizmi

Dita më e shenjtë në kalendarin hebre përfshin agjërimin 25-orësh që shoqërohet me lutjet për falje. Gjatë ditës së shlyerjes, jeta e hebrenjve ndalet – bizneset mbyllen, rrugët zbrazen e mediumet heshtin derisa besimtarët agjërojnë për 25 orë dhe luten intensivisht për fshirje mëkatesh.

Sikizmi

Sikizmi është një nga pak religjionet që nuk e kërkon agjërimin si meritor. Kjo fe e konsideron agjërimin si inferior ndaj “të vërtetës” dhe “veprimit të drejtë”, të cilat sipas themeluesit të kësaj feje, janë më të larta.

Xhainizmi

Agjërimi është pjesë e rëndësishme e xhainizmit. Shihet si mënyrë e pastrimit të trupit, përfshin edhe largimin e karmës së keqe. Agjërimi mund të zgjasë nga një ditë në më shumë se një muaj. Njerëzit mund të bëjnë agjërime të plota, të pjesshme ose të heqin dorë nga ushqimet e preferuara për kohë të caktuar.