Lifestyle

Njerëzit më inteligjentë jetojnë më gjatë

Njerëzit më të zgjuar jetojnë më gjatë, kjo sipas një studimi të ri të publikuar në British Medical Journal.

Shkencëtarët e kanë vëzhguar prej kohësh lidhjen mes inteligjencës së lartë dhe jetëgjatësisë më të gjatë, dhe besonin se njerëzit që arrijnë rezultate të larta në testet e inteligjencës kanë më shumë të ngjarë të jenë të arsimuar dhe të fitojnë më shumë, dhe të dy këta faktorë i rrisin gjasat që të përjetojnë pleqëri të thellë, transmeton Koha.net.

Megjithatë, ky studim e konfirmoi teorinë se njerëzit me IQ të lartë në fakt janë për nga natyra më të shëndetshëm.

Gjatë hulumtimit të shkaktarëve të vdekjes së një numri të madh të të anketuarve, IQ-ja e të cilëve u dokumentua në fëmijërinë e tyre, studiuesit zbuluan se, përveç të ardhurave dhe pirjes së duhanit, edhe inteligjenca ishte e lidhur me shkaqet e vdekjes.

U zbulua një lidhje e fortë midis IQ-së më të ulët dhe sëmundjeve respiratore, dhe atyre të zemrës si dhe sulmeve në tru. Kjo lidhje ekziston në mes të inteligjencës në fëmijëri dhe vdekjes së shkaktuar nga lëndimet, kanceri, sëmundjet metabolike dhe dementia.