Lifestyle

Kombinimi i vitaminës D dhe ushtrimeve për shëndet më të mirë të zemrës

Descriptive Text

Hulumtimi tregoi se njerëzit më aktivë me nivelet më të larta të vitaminës D e kishin rrezikun më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare në të ardhmen, transmeton koha.net.

Një studim i ri nga Johns Hopkins Medicine ka zbuluar se kombinimi i ushtrimeve dhe vitaminës D mund ta ulë rrezikun e sulmit në zemër dhe goditjes në tru.

Studiuesit i analizuan reagimet gjatë studimit dhe të dhënat shëndetësore të më shumë se 10.000 të rriturve amerikanë gjatë një periudhe kohore 20-vjeçare dhe e gjetën një lidhje sinergjike në mes të ushtrimeve dhe niveleve të larta të vitaminës D në zvogëlimin e rrezikut të sulmit në zemër dhe goditjes në tru.

Ushtrimet dhe vitamina D njihen prej kohësh se e zvogëlojnë ndaras rrezikun e sëmundjeve të zemrës, por studimi e hulumtoi kombinimin e të dyjave dhe ndikimin në reduktimin e rrezikut të sëmundjeve të zemrës.

"Në studimin tonë, si dështimi për t’i përmbushur nivelet e rekomanduara të aktivitetit fizik ashtu edhe mungesa e vitaminës D ishin shumë të zakonshme", tha dr. Erin Michos, drejtoreshë e asociuar e kardiologjisë parandaluese dhe profesoreshë e asociuar e mjekësisë në Qendrën Ciccarone për parandalimin e sëmundjeve të zemrës në Johns Hopkins, në një deklaratë për shtyp. "Në fund të fundit fakti është se ne duhet t’i inkurajojmë njerëzit që të lëvizin gjithnjë e më shumë për hir të shëndetit të zemrës."

Hulumtuesit i përdorën të dhënat e mëparshme nga studimi Atherosclerosis Risk in Communities, i cili u zhvillua në 10,342 pjesëmarrës nga viti 1987 deri në vitin 2013.

Pjesëmarrësit e kishin një moshë mesatare prej 54 vitesh në fillim të studimit, 57 për qind ishin femra dhe 21 për qind ishin zezakë. Ata u ekzaminuan në vizitat studimore në mes të viteve 1987 dhe 1989 për t’i analizuar nivelet e ushtrimeve, dhe përsëri në vitet 1990 dhe 1992 për t’i matur nivelet e vitaminës D.

Hulumtuesit zbuluan se nivelet e ushtrimeve korrespondonin pozitivisht me nivelet e vitaminës D duke treguar se sa më shumë që personi ushtroi, aq më të larta i kishte nivelet e vitaminës D. Pjesa e dytë e studimit e përfshiu vlerësimin e pjesëmarrësve për sëmundje kardiovaskulare gjatë viteve të mbetura të studimit.

Rezultatet treguan se pjesëmarrësit më aktivë me nivelet më të larta të vitaminës D e kishin rrezikun më të ulët nga sëmundjet kardiovaskulare më pas gjatë 19 viteve të studimit.

Hulumtuesit zbuluan se pjesëmarrësit të cilët i përmbushën nivelet e rekomanduara të aktivitetit dhe kishin nivele të vitaminës D mbi 20 nanogramë për mililitër, e kishin një shans 23 për qind më të ulët që të kenë çrregullime të padëshirueshme kardiovaskulare sesa ata që kishin aktivitet të dobët fizik dhe mangësi të vitaminës D.

Studimi është publikuar në Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism.