Lifestyle

Synimi global për ndryshimin e klimës

Panelet solare

Bota e 2 gradëve më e ngrohtë përfaqëson ende atë që shkencëtarët e karakterizojnë si klimë thellësisht e ndërprerë me stuhi më të egra, dete me nivele më të larta, zhdukje të kafshëve e bimëve, koraleve në zhdukje, shkrirjes së akullit dhe më shumë njerëz që vdesin nga nxehtësia, tymi dhe sëmundjet infektive. Nuk është qëllimi vetëm tek ajo që liderët botërorë thonë se duan vërtet: 1.5 gradë Celsius që nga koha para-industriale

Nëse kombet bëjnë gjithçka që kanë premtuar për ta luftuar ndryshimin e klimës, bota ende mund t’i përmbushë një nga dy objektivat e rënë dakord ndërkombëtarisht për kufizimin e ngrohjes. Mirëpo, planeti po e kalon pragun tjetër që shkencëtarët thonë se do ta mbrojë më shumë Tokën, zbulon një studim i ri.

Sipas studimit të botuar në revistën “Nature”, të mërkurën, bota potencialisht është në rrugën e duhur për ta mbajtur ngrohjen globale në ose një hije më poshtë, 2 gradë Celsius më nxehtë se koha para-industriale, synim që dikur dukej i paarritshëm.

Kjo do të ndodhë vetëm nëse vendet jo vetëm që i përmbushin objektivat e tyre specifike kombëtare të zotuara për frenimin e emetimeve të karbonit deri në vitin 2030, mirëpo gjithashtu përmbushin edhe premtimet më të largëta për arritjen e emetimeve neto zero të karbonit deri në mesin e shekullit, ka bërë të ditur studimi.

Pakti i klimës

Bota e 2 gradëve më e ngrohtë përfaqëson ende atë që shkencëtarët e karakterizojnë si klimë thellësisht e ndërprerë me stuhi më të egra, dete me nivele më të larta, zhdukje të kafshëve e bimëve, koraleve në zhdukje, shkrirjes së akullit dhe më shumë njerëz që vdesin nga nxehtësia, tymi dhe sëmundjet infektive. Nuk është qëllimi vetëm tek ajo që liderët botërorë thonë se duan vërtet: 1.5 gradë Celsius që nga koha para-industriale. Bota do ta kalojë këtë qëllim më të spikatur dhe të promovuar, nëse nuk premtohen dhe arrihen reduktime të reja dramatike të emetimeve këtë dekadë dhe ndoshta brenda tre vjetëve të ardhshëm, kanë njoftuar autorët e studimit.

Të dy objektivat prej 1.5 dhe 2 gradë janë pjesë e paktit të klimës në Paris të vitit 2015 dhe marrëveshjes pasuese në Glasgow të vitit 2021. Synimi i 2 gradëve kthehet vite më parë.

“Për herë të parë mund të vazhdojmë ta mbajmë ngrohjen nën shenjën simbolike 2 gradë me premtimet e bëra në tryezë. Kjo supozon sigurisht që vendet do t’u përmbahen zotimeve”, ka thënë autori kryesor i studimit, Malte Meinshausen, shkencëtar klimatik në Universitetin e Melburnit.

Studimi “ekzaminon vetëm këtë skenar optimist. Nuk kontrollon nëse qeveritë po bëjnë përpjekje për të zbatuar objektivat e tyre afatgjata dhe nëse ato janë të besueshme”, ka theksuar Niklas Hohne nga Gjermania, shkencëtar në Institutin e Ri të Klimës, i cili analizon premtimet për Climate Action Tracker dhe nuk ishte pjesë e këtij studimi. “Ne e dimë se qeveritë janë larg zbatimit të objektivave të tyre afatgjata”.

Ekipi i Hohne dhe të tjerët që ndjekin zotimet kanë zbuluar në mënyrë të ngjashme se kufizimi i ngrohjes në 2 gradë është ende i mundur, ashtu siç ka bërë ekipi Meinshausen. Dallimi është se studimi i Meinshausenit është i pari që u rishikua nga kolegët dhe i cili u botua në një revistë shkencore.

Image

Supozimet

Natyrisht, bota me 2 gradë celsius kërkon që vendet ta bëjnë atë që kanë premtuar. Mirëpo, energjia më e lirë e diellit e erës ka treguar se reduktimet e emetimeve të karbonit mund të vijnë më shpejt, sesa mendoj dhe disa vende do t’i tejkalojnë reduktimet e tyre të premtuara, ka bërë të ditur Meinshausen. Ai po ashtu ka thënë se mënyra se si funksionon veprimi i klimës fillon me premtimet dhe më pas me politikat.

Kryesisht, kufizimi i ngrohjes në 2 gradë është ende përmirësim i madh krahasuar me vetëm pesë ose dhjetë vjet më parë, kur “të gjithë bënin shaka duke thënë se nuk do të shohim kurrë objektiva në tryezë që na afrojnë me 2 gradë”, është shprehur Meinshausen. “Synimet dhe politikat e zbatuara, në fakt, mund ta ndryshojnë kahen në temperaturat e ardhshme. Mendoj se optimizmi është i rëndësishëm për vendet. Kështu që, po, ka shpresë”.

Rreth 20% deri në 30% e kësaj shprese është për shkak të marrëveshjes së Parisit për klimën, mirëpo pjesa tjetër është për shkak të investimeve të mëparshme nga vendet që i bënë teknologjitë e energjisë së gjelbër më të lira se karburantet fosile të pista si thëngjilli, nafta dhe gazi natyror, ka thënë Meinshausen.

Megjithëse ky është një lajm i mirë, nuk do të thotë se gjithçka është në rregull, ka theksuar ai.

“As nuk kemi ndonjë kufi gabimi e as premtimet nuk na vendosin në një rrugë afro 1.5 gradë”, ka thënë Meinshausen.

Në vitin 2018, ekipi i ekspertëve shkencorë të Kombeve të Bashkuara i ka studiuar midis pragjeve 1.5 dhe 2 gradë dhe gjeti dëme dukshëm më të këqija dhe më të gjera në Tokë me 2 gradë ngrohje. Pra, bota kohët e fundit është përpjekur ta bëjë të mundur objektivin 1.5 gradë.

Toka është ngrohur tashmë të paktën 1.1 gradë Celsius që nga koha para-industriale, e konsideruar shpesh në fund të viteve 1800, kështu që 2 gradë ngrohje që do thotë me të vërtet 0.9 gradë Celsius më nxehtë se tani.

Analiza e Meinshausenit “duket e mirë dhe e qëndrueshme, ama ka gjithmonë supozime që mund të jenë të rëndësishme”, ka thënë Glen Peters, shkencëtar i klimës që i përcjell emetimet me Projektin Global të Karbonit.

Supozimi më i madh është se kombet arrijnë në njëfarë mënyre emetimet e premtuara neto të karbonit zero, shumica e tyre deri në vitin 2050, por një ose dy dekada më vonë për Kinën dhe Indinë, është shprehur Peters, drejtor kërkimor i Qendrës Cicero për Kërkimin Ndërkombëtar të Klimës në Oslo, Norvegji.

“Të bësh premtime për vitin 2050 nuk kushton, mbështetja e tyre me veprimet e nevojshme afatshkurtra është e vështirë”, ka thënë ai, duke vënë në dukje se për shumicën e vendeve, do të ketë pesë ose gjashtë zgjedhje nga tani deri në vitin 2050.