Lifestyle

Një ekuilibër në mes të sigurisë së shëndetit të fëmijëve në kohë pandemie dhe aspektit social-emocional të tyre

Descriptive Text

Pasi të gjitha institucionet janë rihapur dhe kemi filluar të mësohemi që të jetojmë bashkë me pandeminë, popullata është njoftuar me protokollet dhe rregullat për mbrojtjen nga virusi, por çfarë t’u bëjmë të vegjëlve në kopshte dhe institucione parashkollore që nuk duan të dinë për pandeminë? Ata duan të ndihen të pranuar, të rrethuar me dashuri dhe u gëzohen pa masë ndërveprimeve me të tjerët rreth tyre, qoftë të kapen dorë për dore, qoftë t’i ndajnë lodrat me të tjerët, qoftë t’u hidhen në përqafim shokut/shoqes apo edukatorëve…kjo nuk është aspak një situatë e lehtë për të gjithë ata që punojnë me fëmijë të vegjël…së fundi kush mund t’u rezistojë me lehtësi krahëve të hapur të një fëmije që kërkon përqafim kur është me lot në sy?

Këtu janë disa mënyra të cilat mund t’ju ndihmojnë që të arrini t’i vetëdijesoni të vegjlit për viruset, të ruani distancën dhe në të njëjtën kohë të jeni të lidhur duke i bërë fëmijët të ndihen të sigurt, të pranuar dhe mbi të gjitha të rrethuar me dashuri.

Si të rrisim vetëdijesimin e të vegjëlve për viruset?

Fëmijët e vegjël nuk duan të dëgjojnë ligjërata, sepse kjo nuk është forma me të cilën ata i kuptojnë konceptet e reja duke iu referuar aftësive të tyre kognitive që përkojnë me stadin e tyre të zhvillimit. Pavarësisht saj ne duhemi të gjejmë forma argëtuese me të cilat do t’i vetëdijesojmë fëmijët për virusin, si: leximi i librave ilustrativë me personazhe atraktive për ta, shikimi i filmave të animuar të cilët si temë kanë viruset e ndryshme, praktikimi i lojërave/aktiviteteve të cilat kanë për qëllim konkretizimin e konceptit të shpërndarjes së virusit dhe mënyrat se si ne mund të mbrohemi, pra kjo mund të kthehet në një eksperiencë argëtuese dhe vetëdijesuese në të njëjtën kohë, sepse mënyra ideale e të mësuarit në fëmijërinë e hershme është të mësuarit përmes lojës.

Format argëtuese me të cilat fëmijët mund të mbrohen nga viruset

Fokusohuni në demonstrimin e mënyrave të ndryshme që ndikojnë në ruajtjen e shëndetit, si: mbulimi i hundës dhe gojës me bërryl gjatë kohës kur teshtijmë apo kollitemi, përcaktimi i distancës fizike mund të bëhet gjithashtu argëtues nëse ftojmë fëmijët që secili prej tyre të hapë dy duart dhe të përcaktojë hapësirën e tij/saj të sigurt, demonstrimi i larjes së duarve në mënyrë të duhur, etj. Larja e duarve është një nga mënyrat më të duhura që mbron fëmijët nga shpërndarja e virusit dhe sëmundjeve të tjera, ju thjesht duhet t’i inkurajoni fëmijët të lajnë duart me kujdes për të paktën 20 sekonda, ky nuk ka nevojë të jetë një bashkëbisedim i frikshëm, ju mund ta shoqëroni larjen e duarve me një këngë e cila zgjat 20 sekonda, apo ata mund të numërojnë deri në 20 duke e nxitur edhe ndonjë minigarë se kush ka durimin t’i lajë duart 20 sekonda, dhe kështu larja e duarve mund të kthehet në një ritual argëtues.

Bashkërisht me fëmijët bëni rregullat për mbrojtje nga virusi dhe vizualizoni ato

Kur fëmijët përfshihen në vendosjen e rregullave, ata rrisin vetëvlerësimin dhe me gjasë reagojnë edhe më mirë ndaj rregullave, sepse kanë kontribuar vetë në vendosjen e tyre. Duke e pasur parasysh se fëmijët e vegjël nuk njohin shkronjat, ne duhet të vizualizojmë me ilustrime apo fotografi këto rregulla dhe t’i vendosim në një pjesë të dukshme të mjedisit ku qëndrojnë fëmijët.

Të vëmë një theks të veçantë te zhvillimi social-emocional i fëmijëve

Zhvillimi social-emocional i fëmijëve është proces përmes të cilit fëmijët fitojnë dhe zbatojnë në mënyrë efektive njohuritë, qëndrimet dhe aftësitë e nevojshme për të kuptuar dhe menaxhuar emocionet, për të vendosur dhe arritur qëllime pozitive, për të ndierë dhe treguar ndjeshmëri për të tjerët, për të ndërtuar dhe mbajtur marrëdhënie pozitive, dhe për të marrë vendime të përgjegjshme.

Tani më shumë se kurrë edukatorët duhen të vënë një theks të veçantë te zhvillimi social-emocional i fëmijëve, në këtë periudhë kur ata po përballen me stresin e shtuar nga thirrja për distancën sociale dhe kjo është e mundur nëse:

-Pasuroni fjalorin emocional të fëmijëve;

-Inkurajoni fëmijët të flasin për emocionet që ata ndiejnë (shkenca ka vërtetuar se në momentin që ne arrijmë të identifikojmë dhe emërtojmë emocionin që jemi duke përjetuar, intensiteti i tij bie dukshëm);

-Lexoni libra, histori apo shikoni filma të shkurtër bashkërisht me fëmijët dhe pastaj hapni diskutimin rreth emocioneve të personazheve të tyre, duke vazhduar bashkëbisedimin për emocionet tona dhe ndikimin e tyre në trupin tonë;

-Përdorni situata të cilat ndodhin në grupin e fëmijëve për t’i diskutuar ndjesitë që ata kanë përjetuar qoftë pas një konflikti, qoftë pas një eksperience të bukur. Kështu ne nxisim aftësitë e tyre dhe nivelin e vetëdijes për gjendjen emocionale;

-Ofroni fotografi me shprehje të ndryshme të fytyrave si pasojë e gjendjeve emocionale dhe kërkoni nga fëmijët t’i identifikojnë se çfarë emocione paraqesin ato. Ju mund t’i nxisni edhe vetë fëmijët që përballë njëri-tjetrit të bëjnë mimika të ndryshme të shprehjeve emocionale dhe t’i emërtojnë;

-Përdorni kukullat e dorës (të cilat mund të ketë një maskë në gojë) për të aktruar situata dhe për të paraqitur para fëmijëve rëndësinë e empatisë. Përforconi sjelljet apo veprimet pozitive kur ata bashkëndiejnë për të tjerët, në këtë formë ne nxisim nivelin e tyre të empatisë, si p.sh. ju mund të uleni në nivel me fëmijën, e shikoni drejt në sy dhe i thoni sa shumë ju e vlerësoni kur ai e komplimentoi shoqen e tij të ndrojtur për punën e bërë në teatër. Ju flisni se si ajo mund të jetë ndier pasi u inkurajua nga shoku i saj.

Rutinat, lojërat, materialet didaktike dhe lodrat

-Fokusohuni në lojërat imagjinative të cilat nuk kërkojnë aq shumë kontakte dhe ndërveprime me njëri-tjetrin, lexoni libra me zë të lartë ku të gjithë fëmijët në rreth ( duke respektuar një distancë eventuale) mund të shijojnë dëgjimin e historisë apo këndimin e një kënge, ritmin e së cilës mund ta përcjellë secili fëmijë me një perkusion individual të thjeshtë. Shfrytëzoni mjedisin e jashtëm për aktivitete të ndryshme si, eksplorim në natyrë, kërkim për insekte, apo për realizimin e aktiviteteve fizike të cilat respektojnë pak a shumë një distancë sociale, ku fëmijët janë duke u përfshirë në grup të madh, por në formë individuale;

-Inkurajoni fëmijët t’i sistemojnë materialet e tyre individuale në hapësirat e tyre të identifikuara (dollapët) dhe kur realizoni punë kreative/artistike fëmijët mund të krijojnë me mjetet e tyre pa pasur nevojë t’i ndajnë ato në grup të madh, ku prekjet dhe shpërndarja e virusit mund të jenë më të lehta;

-Mundohuni t’i largoni përkohësisht lodrat e buta të tekstilit, të cilat janë të vështira për t’u dezinfektuar. Zëvendësoni ato me lodra të cilat ju me lehtësi mund t’i dezinfektoni pas përfundimit të lojës;

Ndërveprimi pozitiv edukatorë-fëmijë është i mundur edhe pa kontakt fizik

Të jesh përballë një fëmije kur të kërkon përqafim dhe ti nuk mund t’ia dhurosh, është një situatë e papëlqyeshme. Por në thirrje për mbrojtjen e shëndetit fizik ne duhet të jemi sa më kreativë në gjetjen e alternativave të ndryshme, të cilat na ndihmojnë që të kemi një ndërveprim pozitiv pa kontakt fizik, si p.sh.:

-Uluni në nivel me fëmijën dhe mbani kontakt me sy, që gjersa ju jeni duke komunikuar ai/ajo të mund të lexojë shprehjen emocionale të syve tuaj edhe nëse goja është e mbuluar me maskë;

-Ilustroni maskat tuaja me shprehje qesharake të gojës, (ato mund të jenë buzëqeshja e një qenushi, një arushi, etj.);

-Jini sa më kreativë në përdorimin e formave të ndryshme të përshëndetjeve, përpos atyre me përqafime dhe shtrëngim duarsh. Ju mund t’i prisni fëmijët me një kukull dore dhe t’iu dhuroni një tokje duarsh në ajër, mund t’i prisni me përshëndetje/fjalë të ngrohta mirëseardhëse si: ohh Margjela, mirë se erdhe, jam shumë e lumtur që të shoh, toke në ajër, ose priti përqafimet e mia nga larg, etj.;

-Dhe në fund, mos harroni të kujdeseni edhe për shëndetin tuaj si edukatorë që përballeni me një situatë kaq stresuese në kohë pandemie. Përdorni mënyra të ndryshme të vetërregullimit, si: dilni për ecje në natyrë, dëgjoni muzikë relaksuese, ndani shqetësimet dhe sfidat me kolegët tuaj, flisni për emocionet tuaja, ndani praktikat e mira dhe kërkoni nga kolegët të njëjtën gjë, kështu ju mund të lehtësoni punën tuaj. Duke qenë mirë me veten, ju do të jeni mirë edhe me fëmijët.

“Në këtë periudhë të vështirë të distancës sociale sytë tanë mjaftueshëm mund të përçojnë buzëqeshjen që fshihet nën maskë”

Autorja Delvina Dylazeka-Hajdari është hulumtuese në fushën e edukimit. Është pedagoge e edukimit në fëmijëri të hershme. Aktualisht pjesë e Caritasit zviceran të Kosovës.