Lifestyle

Fëmijët francezë presin në radhë për vaksinim

“Është pak e çuditshme. Kam dëgjuar për këtë në televizor, e tash jam këtu”, ka pohuar 8-vjeçari Dimitri Marck. Mirëpo, ai ka treguar se është i lumtur që është vaksinuar pasi tash mund t’i shohë gjyshërit për festa

Nxënësit në shkollat franceze ngjiteshin me nervozizëm pas prindërve teksa hynin në një qendër të madhe vaksinimi në perëndim të Parisit të mërkurën – dhe më pas u larguan të emocionuar e të dekoruar me një “diplomë vaksinimi”, kur Franca nisi vaksinimet masive të COVID-19 për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç.

Pak e çuditshme

Ministri i Shëndetësisë të mërkurën ka thënë që varianti Omicron që po përhapet shpejt, pritet të mbizotërojë në Francë nga java e ardhshme, megjithëse ka përjashtuar mundësitë për kufizime në jetën publike tani për tani. Zyrtarët po shpresojnë se rritja e vaksinimit do të jetë e mjaftueshme për ta ndaluar presionin për shtrirje në spital, ku të sëmurit me COVID-19 okupojnë më shumë se 60% të shtretërve.

Në një “vaccinodrome” në periferinë e Parisit, Saint-Quentin-en-Yvelines, të mërkurën fëmijët u renditën për dozën e parë të tyre, me maska të stolisura me këlyshë, lule a heronj të Marvelit.

Njëri nga ta largonte nervozizmin duke e rrotulluar makinën e tij lodër në çdo sipërfaqe që mund të gjente. Tjetri luante lojëra në telefonin e nënës së tij. Tetëvjeçari Alvin Yin qante, teksa motra e tij 9-vjeçare Noemie, përpiqej ta ngushëllonte.

“Është pak e çuditshme. Kam dëgjuar për këtë në televizor, e tash jam këtu”, ka pohuar 8-vjeçari Dimitri Marck. Mirëpo, ai ka treguar se është i lumtur që është vaksinuar pasi tash mund t’i shohë gjyshërit për festa.

Franca ka nisur vaksinimin për fëmijët e moshave 5 deri në 11 vjeç me rrezik jete në fillim të këtij muaji dhe më pas e zgjeroi atë në të gjithë grupmoshat e fëmijëve të mërkurën si pjesë e përshpejtimit të përpjekjeve për vaksinim. Fëmijët duhet ta kenë të paktën pëlqimin e njërit prind, kurse njëri duhet të jetë prezent kur fëmija të marrë vaksinën.

Sakrificë kolektive

Sipas shifrave të qeverisë, në fillim të dhjetorit, më shumë se 1.000 në çdo 100.000 fëmijë në Francë, të moshës 6-10 vjeç ishin të infektuar me koronavirus. Aktualisht, 145 fëmijë janë shtruar në spital për sëmundje serioze si shkak i COVID-19 dhe 27 fëmijë janë duke marrë trajtime mjekësore në njësitë intensive të kujdesit, ka treguar ministri i Shëndetësisë, Olivier Veran.

Franca ka regjistruar 72.832 raste të reja të martën, dhe ka të hospitalizuar rreth 16.000 njerëz me COVID-19, duke pasur numrat më të lartë në Evropë.

Në një intervistë për radio, të mërkurën, ministrja e Punës, Elizabeth Borne, u ka kërkuar kompanive që t’i lejojnë punonjësit të punojnë nga distanca, kudo që është e mundur, të paktën tre, nëse jo katër ditë të javës. Bizneset franceze iu rikthyen punëve personale në vitin 2020.

Franca i ka mbyllur klubet e natës dhe i ka ndaluar fishekzjarrët për Vitin e Ri, si dhe festimet masive të fundvitit, përfshirë koncertet.

“Është mbrëmje që po sakrifikohet për një kauzë të mirë”, ka vënë në dukje Veran.

“Diploma e vaksinimit”

Mirëpo, mesazhi i tij kryesor ishte të rritej numri i të vaksinuarve. Më shumë se 89% e njerëzve, 12 vjeç e më lart kanë marrë dy dozat, dhe rreth një e treta e tyre kanë marrë një injeksion përforcues.

8-vjeçari, Hugo, ishte anëtari i fundit i familjes se tij për të marrë vaksinën dhe ndihej i lënë anash. Babai i tij, Benoit Chappaz, i kishte thënë atij që e vaksinuan, “jo pse qeveria dëshiron kështu”, por sepse ne duhet të kujdesemi për paqen dhe shëndetin e familjes dhe për shëndetin publik në përgjithësi.

Aty pranë qëndronte edhe Evani 7-vjeçar i lindur në Amerikë, kur u përkul në karrige. Xhaxhai i tij vdiq nga COVID-19 dhe familja e tij njihte shumë njerëz që ishin shtrirë në spital për shkak të koronavirusit.

I pyetur në qoftë se do ta përballonte injeksionin, ai ka thënë, “do të bërtas. E pastaj, nëse mami pajtohet, mund ta marr një akullore a diçka të ëmbël, ngaqë kam marrë një vaksinë”.

Teksa doktori lehtësisht futi gjilpërën në krahun e tij, Evan madje as që kishte bërtitur. Në vend të kësaj ai u mbështoll rreth nënës së tij dhe futi kokën në xhaketën e saj.

Pastaj, teksa po largohej me krenari e mbante “diplomën e vaksinimit”.