Lifestyle

Mënyra e të ushqyerit dhe stili i jetesës për njerëzit me tiroidin Hashimoto

Hashimoto është një sëmundje autoimune që dëmton tiroiden, duke shkaktuar prodhim të pamjaftueshëm të hormoneve.

Tiroidja është një gjëndër endokrine që ndodhet në pjesën e qafës dhe sekreton hormone që prekin pothuajse çdo sistem organesh. Ajo gjithashtu kontrollon metabolizmin dhe procesin e rritjes.

Simptomat e këtij çrregullimi mund të ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës edhe kur trajtoheni me medikamente.

Hulumtimet tregojnë se krahas mjekimeve, ndryshmet në regjimin ushqimor dhe në stilin e jetesës mund të përmirësojnë në mënyrë drastike simptomat.

Si ndikon regjimi ushqimor dhe mënyra e jetesës tek kjo sëmundje?

Regjimi ushqimor dhe mënyra e jetesës luajnë një rol jetik në menaxhimin e këtij çrregullimi.

Studimet sugjerojnë se inflamacioni mund të jetë një faktor shtytës pas gamës së gjerë të simptomave të Hashimotos.

Dhe tashmë dihet se një regjim ushqimor jo i shëndetshëm ndikon në rritjen e inflamacionit në trup.

Duke qenë se njerëzit me sëmundjen e Hashimotos kanë një rrezik më të lartë të rritjes së kolesterolit, obezitetit dhe diabetit, këto ndryshime janë të nevojshme për të reduktuar këto rreziqe.

Plus, ato mund të ndihmojnë në ngadalësimin ose parandalimin e dëmtimit të tiroides.

Simptomat

Për shkak se sëmundja e Hashimotos prek pothuajse çdo sistem organesh në trupin tuaj, ajo shoqërohet edhe me një sërë simptomash, si:

shtim në peshë

lodhje ekstreme

përqendrim i ulët

dobësim i flokëve

lëkurë e thatë

ritëm i ngadaltë ose i parregullt i zemrës

presioni i lartë i gjakut

thonj të brishtë

kapsllëk

dhimbje qafe ose ndjeshmëri e tiroides

depresion dhe ankth

çrregullim i ciklit menstrual

pagjumësi

Nëse kjo sëmundje nuk trajtohet në mënyrën e duhur, mund të shkaktojë efekte anësore serioze dhe madje edhe vdekje.

Ushqimet që duhet dhe nuk duhet të konsumoni

Një regjim ushqimor i pasur me lëndë ushqyese mund të ndihmojë në uljen e ashpërsisë së simptomave dhe përmirësimin e shëndetit tuaj të përgjithshëm.

Përqendrohuni në konsumin e frutave, perimeve, drithërave të plota, barishteve, arrorëve, në konsumin e yndyrave të shëndetshme dhe proteinave shtazore.

Shmangni konsumin e ushqimeve dhe pijeve me sheqer të përpunuar, ushqimeve të skuqura, mishit të përpunuar dhe drithërave që përmbajnë gluten.

Megjithëse këto rekomandime mund të ndihmojnë shumë individë, është e rëndësishme të eksperimentoni për të gjetur metodën më të mirë për ju.

Puna me një dietolog të specializuar në sëmundjet autoimune, si sëmundja e Hashimotos, mund t’ju ndihmojë të kufizoni ushqimet problematike dhe të vendosni një model të ushqyeri që do t’ju ndihmojë.

Ndryshime në stilin e jetesës që mund të ndihmojnë

Gjumi i bollshëm, reduktimi i stresit dhe kujdesi për veten, janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ata me sëmundjen e Hashimotos.

Meqenëse simptomat e kësaj sëmundjeje mund të ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës dhe shëndetin tuaj mendor, sigurohuni që të gjeni një mjek të cilit i besoni.

Kjo mund të marrë pak kohë, por është e rëndësishme që të merrni trajtimin e duhur./AgroWeb