Lifestyle

Ekspertët pritën më shumë nga Samiti i Klimës

Descriptive Text

Disa vende, përfshirë edhe shtetet e vogla ishullore, kanë bërë me dije se janë zhgënjyer shumë nga ndryshimi i Indisë që “ta ngadalësojë” në vend se “ta përfundojë” fuqinë e thëngjillit, e që është një nga burimet më të mëdha të emetimeve serrë

Pothuajse 200 kombe e pranuan marrëveshjen për ta mbajtur gjallë synimin kryesor për ngrohjen globale, mirëpo në minutën e fundit ndodhi diçka që hodhi poshtë fjalën vendimtare rreth thëngjillit.

Disa vende, përfshirë edhe shtetet e vogla ishullore, kanë bërë me dije se janë zhgënjyer shumë nga ndryshimi i Indisë që “ta ngadalësojë” në vend se “ta përfundojë” fuqinë e thëngjillit, e që është një nga burimet më të mëdha të emetimeve serrë.

“Planeti ynë i brishtë po varet nga një fije peri”, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. “Ende po trokasim në derën e katastrofës klimatike”.

Shtet pas shteti janë ankuar për dy javë rresht në bisedimet e Kombeve të Bashkuara rreth klimës në Glasgou, Skoci, rreth faktit se si marrëveshja nuk shkoi aq larg sa duhej. Por, sipas tyre, më mirë pak se asgjë e me këtë siguruan përparim në rritje nëse jo tamam sukses.

Interesat e ngushta

Në fund, Samiti lëshoi rrugë për ta veçuar thëngjillin, sado dobët, duke vendosur rregullat për tregtimin ndërkombëtar të përqindjeve të karbonit dhe duke u thënë ndotësve të mëdhenj të kthehen prapë vitin e ardhshëm e zotime të përmirësuara për uljen e emetimeve.

Për shkak të interesave të brendshme, si ato politike ashtu edhe ato ekonomike, përsëri i penguam kombet të angazhoheshin shpejt për shkurtimet e mëdha të emetimeve, të cilat shkencëtarët thonë se janë të nevojshme për ta mbajtur ngrohjen nën nivele të rrezikshme pasi mund të prodhojnë mot ekstrem dhe rritje të niveleve detare deri në atë pikë që mund t’i zhdukin disa vende ishullore.

Gjatë bisedimeve në Glasgou, Kombet e Bashkuara kanë vendosur tri kritere për të pasur sukses e që asnjë prej tyre nuk është arritur. Kriteret e Kombeve të Bashkuara përfshinin zotimet për t’i ndalur emetimet e dyoksidit të karbonit përgjysmë deri në vitin 2030, 100 miliardë dollarë ndihma financiare nga shtetet e pasura për ato të varfra dhe të sigurohet që gjysma e asaj shume ka shkuar në ndihmën për ta përshtatur botën në zhvillim me efektet më të dëmshme nga ndryshimi klimatik.

“Nuk ia dolëm t’i arrijmë këto qëllime në këtë konferencë”, ka theksuar Guterres. “Mirëpo kemi disa blloqe ndërtimi në përparim”.

Ministrja zvicerane e Mjedisit, Simonetta Sommaruga, ka vënë në pah se ndryshimi do ta bëjë më të vështirë kufizimin e ngrohjes në 1.5 gradë celsius që nga koha paraindustriale – kur u vendos pragu më i ashpër në Marrëveshjen e Parisit, në vitin 2015.

I dërguari i SHBA-së për klimën, John Kerry, ka sqaruar se qeveritarët nuk kishin zgjidhje tjetër pos ta pranonin vendimin e Indisë për thëngjillin: “Në qoftë se nuk e kishim bërë atë, tash nuk do të kishim marrëveshje”.

Këndvështrimi pozitiv

Ai insistoi në atë se marrëveshja është lajm i mirë për botën.

“Në fakt, jemi më afër se kurrë më parë ta shmangim kaosin për klimën, të sigurojmë ajrin e ujin e pastër dhe një planet më të shëndetshëm”, ka potencuar ai së voni në një konferencë të lajmeve.

Shumë shtete e shume aktivistë të klimës e kanë kritikuar Indinë për vendosjen e kushteve në atë mënyrë që ndikoi në dobësimin e marrëveshjes përfundimtare.

“Vendimi i Indisë në minutën e fundit që ta ngadalësojë dhe jo ta përfundojë heqjen e thëngjillit është mjaft shokuese”, ka theksuar shkencëtari australian i klimës, Bill Hare. “India ka qenë një pengesë e kamotshme në aksionet për klimën, por s’e kam parë kurrë ta bëjë kaq publikisht”.

Të tjerët e shihnin marrëveshjen nga një këndvështrim më pozitiv. Përveç vendimit të rishikuar për thëngjill, Pakti i Klimës së Glasgout përfshinte stimuj të mjaftueshëm financiarë pothuajse të kënaqshëm për kombet e varfra duke zgjidhur kështu një problem të gjatë kohor e hapi rrugë për tregtinë e karbonit.

Sipas marrëveshjes, shtetet e mëdha ndotëse me karbon duhet të kthehen prapë me zotime më të forta për shkurtimet e emetimeve të karbonit deri në fund të vitit 2022.

Negociatorët thanë se marrëveshja ruajti, ani pse mezi, qëllimin kryesor për të kufizuar ngrohjen e Tokës deri në fund të shekullit në 1.5 gradë. Planeti tashmë është ngrohur 1.1 gradë celsius në krahasim me kohën paraindustriale.

Qeveritarët e përdorën fjalën “përparim” më shumë se 20 herë të shtunën, mirëpo rrallë thanë fjalën “sukses” dhe pastaj folën për atë se çka kanë arritur në përfundim e jo për detajet që përmbante marrëveshja. Presidenti i Konferencës, Alok Sharma, deklaroi se marrëveshja drejton në “përparim në thëngjill, vetura, para dhe pemë” dhe kjo është “diçka domethënëse për njerëzit dhe planetin tonë”.

Aktivistët mjedisorë u matën në vlerësimin e tyre jo dhe aq të kënaqshëm, që u shkaktua para ndryshimit të minutës së fundit të Indisë.

“Është e brishtë, e dobët dhe e vetmja arsye pse synimi 1.5C ende jeton, është se u dërgua një sinjal se epoka e thëngjillit po përfundon. Dhe kjo ka rëndësi”, ka potencuar drejtoresha ekzekutive ndërkombëtare e Greenspace, Jennifer Morgan, një veterane e bisedimeve të Kombeve të Bashkuara për klimën, e njohur si Palët e Konferencave.

Përktheu: Blerta Haxhiu