Lifestyle

UNICEF: Një në çdo pesë të rinj “shpesh ndihen në depresion”

Descriptive Text

Organizata për fëmijë “Unicef” ​dhe “Gallup” kanë zhvilluar intervista në 21 shtete gjatë gjashtë muajve të parë të vitit. Bazuar në të dhënat e dala prej tyre, pothuajse të gjithë fëmijët në mbarë globin janë prekur nga izolimi, mbyllja e shkollave dhe prishja e rutinës ditore shkaku i pandemisë së COVID-19

Pothuajse një në pesë, 15 deri në 24-vjeçarë, në të gjithë botën thonë se shpesh ndihen në depresion, ka treguar të martën një raport i ri i Kombeve të Bashkuara, i cili ka zbardhur ndikimin e COVID-19 në shëndetin mendor të fëmijëve dhe të adoleshentëve.

Organizata për fëmijë “Unicef” ​dhe “Gallup” kanë zhvilluar intervista në 21 shtete gjatë gjashtë muajve të parë të vitit. Bazuar në të dhënat e dala prej tyre, pothuajse të gjithë fëmijët në mbarë globin janë prekur nga izolimi, mbyllja e shkollave dhe prishja e rutinës ditore shkaku i pandemisë së COVID-19, ka raportuar e përditshmja britanike “Guardian”.

Së bashku me shqetësimin për të ardhurat dhe shëndetin e familjes, shumë të rinj ndihen të frikësuar, të zemëruar dhe të pasigurt për të ardhmen, thuhet në raportin e publikuar të martën. Pothuajse një e treta e fëmijëve në Kamerun kanë thënë se shpesh ndiheshin në depresion ose kishin pak interes për të bërë gjëra, ndërsa një në çdo pesë fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar dhe një në 10 fëmijë në Etiopi e Japoni ndiheshin në këtë mënyrë, citon “Guardian” të dhënat e raportit.

“Zbulimet nuk reflektojnë nivele të depresioni të diagnostikuar, por tregojnë se si fëmijët dhe të rinjtë janë ndier gjatë pandemisë së COVID-19. Mungesa e mbledhjes së të dhënave dhe monitorimi i rutinës do të thoshte se pasqyra e statusit të shëndetit mendor dhe nevojave të të rinjve në shumë vende ishin të kufizuar”, thuhet në raport.

Raporti theksoi sesi më shumë se një në shtatë nga çdo 10 deri në 19-vjeçarë (13 për qind) vlerësohet se jetojnë me një çrregullim të diagnostikuar të shëndetit mendor - 89 milionë djem dhe 77 milionë vajza.

“Kanë qenë 18 muaj shumë të gjatë për të gjithë – veçanërisht për fëmijët. Për shkak të izolimeve mbarëkombëtare dhe kufizimeve të lëvizjes shkaku i pandemisë, fëmijët kanë kaluar vite të pashlyeshme të jetës së tyre larg familjes, miqve, klasave, lojës - elementet kryesore të fëmijërisë”, ka thënë Henrietta Fore, drejtoreshë ekzekutive e “Unicef”-it, duke folur për Guardianin. “Ndikimi është i rëndësishëm dhe është vetëm maja e ajsbergut. Edhe para pandemisë, shumë fëmijë ishin të ngarkuar nën peshën e çështjeve të patrajtuara të shëndetit mendor”, ka thënë ajo.

Teksa pandemia po shkon drejt vitit të tretë dhe po rritet shqetësimi për ndikimin e saj në shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve, raporti gjithashtu zbuloi se çdo 11 minuta vdes një fëmijë si pasojë e vetëvrasjes.

“Çdo vit rreth 45,800 adoleshentë vdesin nga vetëvrasja, që është shkaku i pestë më i përhapur i vdekjes për fëmijët e moshës 10 deri në 19 vjeçe. Për moshat 15 deri në 19 vjeçe, është shkaku i katërt më i zakonshëm i vdekjes, pas lëndimit në rrugë, tuberkulozit dhe dhunës ndërnjerëzore”, ka specifikuar raporti, sipas “Guardian”.

Për vajzat e kësaj grupmoshe, vetëvrasja numërohet si shkaku i tretë më i zakonshëm i vdekjes dhe i katërti për djemtë.

“Është vërtet keq”, ka thënë Ann Willhoite, specialiste e shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale në “Unicef”. “Nëse i shikoni statistikat në krahasim me problemet e tjera, është tronditëse”, ka shtuar ajo për Guardianin.

Problemet e diagnostikuara të shëndetit mendor, përfshirë ankthin, autizmin, çrregullimin bipolar, ADHD-në, depresionin, çrregullimet e të ngrënit dhe skizofreninë, mund ta dëmtojnë ndjeshëm shëndetin, arsimimin dhe të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve, bëhet e ditur në raport. Problemet e patrajtuara të shëndetit mendor kanë ndikim edhe në ekonomitë botërore.

Një analizë e re nga Shkolla e Ekonomisë në Londër, e përfshirë në raport, ka treguar se çmimi ekonomik i një neglizhence të tillë është 387.2 miliardë funte në vit. Pavarësisht kërkesës për mbështetje, shpenzimet qeveritare për shëndetin mendor në nivel global përbëjnë 2.1 përqindëshin e shumës së përgjithshme të shpenzuar për shëndetin.

Në disa nga vendet më të varfra të botës, qeveritë shpenzojnë më pak se 1 dollar për person për trajtimin e problemeve të shëndetit mendor. Numri i psikiatërve të specializuar për trajtimin e fëmijëve dhe adoleshentëve është më pak se 0.1 për 100,000 banorë në të gjitha vendet me të ardhura të larta, ku shifra është 5.5 për 100,000.

“Investimi në promovimin dhe mbrojtjen - ndryshe nga trajtimi dhe kujdesi për fëmijët që përballen me sfida serioze – e shëndetit mendor është jashtëzakonisht i ulët”, thuhet në raport. Mungesa e investimeve, sipas “Guardianit”, do të thotë se njerëzit që punojnë në një numër fushash, përfshirë kujdesin shëndetësor parësor, arsimin dhe shërbimet sociale, nuk janë në gjendje që t’i adresojnë problemet e shëndetit mendor. \ Guardian

Përktheu: Liridona Bytyçi