Lifestyle

Zhurma nga transporti rrit rrezikun për demencë, thotë studimi

Ekspozimi ndaj zhurmës nga trafiku rrugor dhe hekurudhor shoqërohet me një rrezik në rritje të demencës, sipas një studimi.

Hulumtimet në mënyrë të vazhdueshme e kanë lidhur zhurmën e transportit me problemet shëndetësore duke përfshirë sëmundjet e zemrës, diabetin dhe obezitetin, por studimet mbi zhurmën e transportit dhe demencën ishin të pakta dhe të vogla, dhe gjetjet të kundërshtueshme.

Tani një studim "mbresëlënës" që përfshin dy milionë të rritur, i kryer gjatë më shumë se një dekade, ka arritur në përfundimin se njerëzit që jetojnë në zona me zhurmë transporti përballen me një rrezik më të lartë të demencës, veçanërisht sëmundjes së Alzheimerit. Gjetjet u botuan në BMJ, raporton The Guardian. 

Studiuesit hetuan lidhjen midis ekspozimit të banorëve afatgjatë në zhurmën e trafikut rrugor e hekurudhor dhe rrezikut të demencës në mesin e dy milionë të rriturve mbi 60 vjeç dhe që jetojnë në Danimarkë midis viteve 2004 dhe 2017. Niveli i ekspozimit në anët më të ekspozuara dhe më pak të ekspozuara të ndërtesave u vlerësua për çdo adresë banimi në vend.

Studimi arriti në përfundimin se 1,216 nga 8,475 rastet e demencës të regjistruara në Danimarkë në vitin 2017 mund t'i atribuohen zhurmës së transportit.

Nga ata, "diagnoza në 963 pacientë i atribuohet zhurmës së trafikut rrugor, dhe në 253 pacientë zhurmës hekurudhore".

Demenca është një nga sfidat më të mëdha shëndetësore në botë. Në nivel global, numri i njerëzve që jetojnë me të pritet të tejkalojë 130 milionë deri në vitin 2050. Përveç faktorëve rrezikut, siç janë mënyrat jo të shëndetshme të jetesës, ekspertët gjithnjë e më shumë besojnë se faktorët mjedisorë mund të luajnë një rol në zhvillimin e demencës.

Hulumtimet e mëparshme kanë lidhur ndotjen e ajrit me rrezikun e demencës, por në këtë studim, studiuesit gjetën një lidhje të veçantë midis zhurmës së transportit dhe demencës.

Studiuesit u shprehën shpresëdhënës pasi kjo mund të çojë në një zgjidhje për trajtimin e demencës. "Zgjerimi i njohurive tona për efektet e dëmshme të zhurmës në shëndet është thelbësor për përcaktimin e prioriteteve dhe zbatimin e politikave efektive dhe strategjive të shëndetit publik të fokusuara në parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, përfshirë demencën", thanë ata.

Shpjegimet e mundshme pse zhurma mund të ndikojë në shëndet, përfshijnë lëshimin e hormoneve të stresit dhe shqetësimet me gjumë, të cilat çojnë në sëmundje të zemrës, ndryshime në sistemin imunitar dhe inflamacion - të gjitha këto shihen si të lidhura me fillimin e demencës.