Lifestyle

Si të rrisni nivelin e energjisë gjatë ditës

Keni hetuar rënie të energjisë kohët e fundit dhe keni menduar se nuk do të jeni në gjendje ta kaloni ditën?

Ka disa mënyra për të rritur nivelin tuaj të energjisë dhe për të zgjidhur detyrat tuaja të përditshme më lehtë.

"Ka disa mënyra se si ne mund të rrisim nivelet e energjisë, duke përfshirë fokusimin në kombinimin e duhur të ushqimit dhe kohës së vaktit, por edhe përbërjen e ushqimeve," tha nutricionistja Elizabeth DeRobertis, drejtoreshë e Qendrës së të ushqyerit.

Për t'u ndier më mirë, është gjithashtu e rëndësishme të shmangni të ashtuquajturit sabotatorë të energjisë.

Për shembull, mungesa e gjumit dhe stresi i shtuar mund t’ju heqë energjinë, thotë Iasi Ansari, nutricionist dhe zëdhënës i Akademisë së të ushqyerit dhe dietologjisë.

Mënyra të thjeshta për të rritur nivelet e energjisë:

Hani çdo tri deri në katër orë

"Njerëzit ndihen sikur kanë më shumë energji kur hanë diçka çdo tri orë gjatë ditës," tha DeRobertis.

Ajo thotë se një pushim shumë i gjatë midis vakteve, veçanërisht për një person që është i prirë të anashkalojë vaktet, mund të shkaktojë një rënie të energjisë.

"Unë në përgjithësi rekomandoj që personi mesatar të hajë çdo tre deri në katër orë," shtoi Ansari.

Sigurisht, sa shpesh duhet të hani ndryshon nga personi në person.

"Është e rëndësishme të dëgjoni shenjat tuaja të urisë dhe ngopjes për të përcaktuar mënyrën dhe orarin e duhur për të ngrënë," tha DeRobertis.

Nëse jeni shumë aktivë, mund të jeni të uritur më shpesh dhe kjo duhet të kihet parasysh, shkruan CNN.

"Dikush që angazhohet në aktivitet më të madh fizik ose është vazhdimisht në lëvizje, mund të ketë nevojë të hajë më shpesh," tha Ansari.

Përfshini proteina në vaktet tuaja

Përfshirja e një burimi të shëndetshëm të proteinave në vakte i mban njerëzit të ngopur më gjatë, sepse trupit tonë i duhet më shumë kohë për të zbërthyer proteina, tha DeRobertis.

Hani karbohidrate me fibra të larta

"Ushqimet e pasura me fibra, të tilla si frutat dhe drithërat, sigurojnë energji nga karbohidratet, të cilat janë burimi më i shpejtë i karburantit për trupin tuaj. Fibrat ngadalësojnë rrjedhën e energjisë, si një digë, në vend të karbohidrateve të thjeshta që përmbytin trupin me sheqer, "tha Melissa Majumdar, e cila është koordinatore pranë Spitalit Universitar Emory Midtown./ksp