Lifestyle

Aducanumab, ilaçi shpresëdhënës kundër Alzhaimerit?

Studiuesit e Alzhaimerit së fundmi i kanë vënë shpresat në ilaçin aducanumab. Ilaçi është treguar se është efikas në largimin me sukses nga truri të pllakave amiloide beta (të njohura shkurt me emrin A-beta). Mirëpo debati ka vazhduar në mesin e shkencëtarëve nëse do ndalohet humbja e kujtesës

Ilaçi aducanumab mund të miratohet shumë shpejt për përdorim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian. Bëhet fjalë për një kurë që i lufton me efikasitet pllakat amiloide beta në tru, të cilat janë treguese për sëmundjen e Alzhaimerit. Por, a e ngadalëson ky ilaç procesin e humbjes së kujtesës mes personave të prekur?

Studiuesit e Alzhaimerit së fundmi i kanë vënë shpresat në ilaçin aducanumab.

Sipas raportimit të gjermanes Deutsche Welle, Administrata amerikane për Ushqim dhe Barna (FDA) do të vendosë për miratimin e tij më 7 qershor, kurse Agjencia Evropiane Mjekësore (EMA) nga fundi i vitit.

Ilaçi është treguar se është efikas në largimin me sukses nga truri të pllakave amiloide beta (të njohura shkurt me emrin A-beta). Mirëpo debati ka vazhduar në mesin e shkencëtarëve nëse do ndalohet humbja e kujtesës.

Studimi me të shëndoshët, jo me të sëmurët

Zbuluesit e ilaçit janë nga Universiteti i Zurichut.

Roger Nitsch dhe Christoph Hock fillimisht nuk i kanë studiuar pacientët, por të moshuarit e shëndoshë. Ata i kanë analizuar veçanërisht qelizat imunitare që kishin aftësi të krijonin antitrupa kundër A-betas. Dhe patën sukses. Në studimin e përpiktë ata kanë dekoduar antitrupat dhe i kanë rikonstruktuar në laborator. Në bashkëpunim me kompaninë amerikane “Biogen”, e kanë sjellë substancën aktive në testimet klinike.

“Studiuesit e Alzhaimerit pajtohen se kjo sëmundje e merr formën e një ujëvare të gjatë, ku ndodhin proceset e përkeqësimit të qelizave të trurit, që vijnë njëra pas tjetrës. Kryesore është krijimi i pllakave amoloide beta”, ka shkruar DW.

Proteina gjendet te të gjithë njerëzit si monomer (molekulë e thjeshtë). Por kur kombinohet për të krijuar oligomere (pararendës të pllakave) bëhet e dëmshme.

Sipas studiuesve, vetëm nëse do të mundësohej luftimi i kësaj ujëvare në një fazë të hershme, do të bëhej e mundur që të mos humbet kujtesa për një kohë të gjatë. Kështu që suksesi i trajtimit varet se sa herët vërehet sëmundja nga mjekët dhe nëse ata arrijnë që të intervenojnë me kohë.

Problemi me Alzhaimerin është që zakonisht nuk vërehet për një kohë të gjatë dhe se kur shpërfaqet humbja e kujtesës është tepër vonë.

Testimet klinike

Image

Tri testime klinike, të emëruara Prime, Emerge dhe Engage, janë ndërmarrë nga “Biogen”, para se kompania të aplikonte për miratimin e FDA-së më 2019 dhe në EMA më 2020.

Sipas vlerësimeve të studiuesve, rezultatet ndryshonin vazhdimisht, “si të ishin në një slitë”. Mirëpo, në fund të fundit, një panel ekspertësh i caktuar nga FDA-ja ka konfirmuar se ilaçi mund të ishte pak i dobishëm, kështu që agjencia publike e shëndetit e ka shtyrë procesin e analizimit të ilaçit deri në qershor të 2021-s.

Vlerësimet e ndryshme të efikasitetit të aducanumabit ishin lidhur edhe me dozën e barit që e kishin marrë pacientët në studimet e ndryshme. Sipas DW-së, doza më e madhe kishte shkaktuar efekt më të fortë te pjesëmarrësit. Mirëpo problemi me dozat e larta është se aducanumabi mund të shkaktojë fryrje të trurit, veçanërisht te njerëzit që kanë predispozita të caktuara gjenetike, të quajtur APOE4.

Pacientët që kanë shfaqur shenja të tilla janë larguar menjëherë nga studimi.

Mirëpo studiuesi Christian Haas, profesor i neurodegjenerimit molekular, ka thënë për DW se efektet anësore nuk duhet të jenë arsye që të mos pranohet ilaçi.

“Mbi të gjitha, aducanumabi është një nga ilaçet që arrin ta pastrojë tërësisht patologjinë në tru”, ka theksuar Haas. Mirëpo, sipas tij, studimet duhet të vazhdojnë tutje.

Sa më herët, aq më mirë

Në rastet e Alzhaimerit qëllimi është që të ndërpritet ujëvara neurodegjenerative sa më herët që të jetë e mundur.

“Në të gjitha testimet klinike ka qenë shumë vonë për njerëzit”, ka thënë Haas.

Patologjia e Alzhaimerit zakonisht fillon 10 deri 20 vjet para se mjekët të arrijnë ta vërejnë problematikën. Por madje edhe përparimet më të vogla mund të jenë sukses i madh në trajtimin e Alazhaimerit, ka thënë Haas.

Në të ardhmen do të jetë e rëndësishme që të fillohet trajtimi me ilaçe, kur pacientët ende nuk e kanë humbur kujtesën. Për këtë arsye mjekët po kërkojnë biomarkerë që të mund ta vërejnë më herët sëmundjen, ndonëse nuk dihet nëse do të ketë kohë që të intervenohet me antitrupat A-beta, siç është aducanumab. \ DW