Lifestyle

Varfëria ndikon në ADN-në tuaj dhe e rrit rrezikun nga depresioni

Është e qartë se ta kesh një prejardhje të varfër mund ta bëjë jetën e zakonshme më të rëndë në shumë mënyra, dhe tani një studim i ri sugjeron se përvoja e varfërisë dhe mjerimit mund t’i ndryshojë mekanizmat biologjikë të lidhur me funksionin e trurit, duke i rritur gjasat e zhvillimit të depresionit, transmeton koha.net.

Duke e analizuar trurin e adoleshentëve, hulumtuesit zbuluan se ata që janë rritur në familje me status më të ulët socio-ekonomik akumuluan sasi më të mëdha të markerit kimik në një gjen të lidhur me depresionin, i cili quhet SLC6A4.

Këto lloje të markerëve epigjenetikë - që do të thotë se janë të shkaktuar nga faktorët e mjedisit ose faktorët e jashtëm - mund ta ndryshojnë veprimtarinë e gjeneve tona, dhe në këtë rast, studiuesit zbuluan se e rrisin reagimin 'lufto ose ik' të trurit të adoleshentëve. Ky reagim është i kontrolluar nga një zonë e trurit e quajtur amigdala, dhe ekipi zbuloi se pjesëmarrësit me një amigdalë më aktive janë më të prirë të zhvillojnë simptoma të depresionit më vonë.

"Faktori më i madh i rrezikut që e kemi aktualisht për depresion është historia familjare me çrregullime," tha një prej anëtarëve të ekipit, psikiatri dhe shkencëtari i sjelljes Douglas Williamson nga Universiteti Duke. "Puna jonë e re e zbulon një nga mekanizmat me të cilat rreziku i tillë familjar mund të manifestohet ose të shprehet në një grup të veçantë të individëve të ndjeshëm gjatë adoleshencës."

Pjesëmarrësit e përfshirë në studim - 132 kaukazianët jo-hispanikë të moshës mes 11 dhe 15 vjeç në fillim të eksperimentit – erdhën nga familjet që variojnë nga statuset e ulëta deri tek ato të larta socio-ekonomike. Atyre iu treguan fotografi të fytyrave të frikësuara ndërkohë që iu nënshtruan skanimeve të trurit me MRI, të cilat regjistruan nivelet e aktivitetit të amigdalës.

Ekipi zbuloi se adoleshentët me një bazë të varfërisë treguan nivele të ulëta të transportit të serotoninës rreth gjenit SLC6A4, gjë që parashikon aktivitet të rritur të amigdalës, dhe kështu reagim më të madh ndaj kërcënimeve dhe rreziqeve të perceptuara.

Të rinjtë u monitoruan gjatë tre viteve, dhe ata që ishin me aktivitet më të madh të amigdalës u konstatua se kishin më shumë të ngjarë të raportojnë simptoma të depresionit me kalimin e kohës, veçanërisht nëse e kishin ndonjë histori familjare të depresionit.

"Kjo është një pjesë e hulumtimit të parë për të demonstruar se statusi i ulët socio-ekonomik mund të çojë në ndryshime në mënyrën se si shprehen gjenet ", theksoi një prej studiuesve, Johnna Swartz, "dhe e hartëzon këtë përmes zhvillimit të trurit në përjetimin e ardhshëm të simptomave të depresionit."

Një studim i ngjashëm në fillim të vitit gjithashtu e gjeti një lidhje në mes të depresionit të fëmijërisë dhe lidhshmërisë së trurit. Hulumtuesit nga Universiteti i Washingtonit në St. Louis përdorën skanime fMRI për ta matur aktivitetin e trurit në fëmijët e moshës ndërmjet 7 dhe 12 vjeç, dhe zbuloi se rrethanat negative në fillim të jetës përfunduan duke ndikuar në zhvillimin dhe funksionin e trurit të vogël - dhe përsëri, amigdala ishte e përfshirë.

Ia vlen të mbahet mend se mostrat e përdorura në të dyja këto studime ishin relativisht të vogla, kështu që rezultatet e tyre duhet të merren parasysh nga ky këndvështrim. Por lajmi i mirë është se sa më shumë që zbulojmë rreth këtyre lidhjeve midis varfërisë dhe depresionit, aq më shumë mund të jemi në gjendje të bëjmë për këtë.

Ekipi nga Universiteti Duke tani do ta studiojë më tej aktivitetin rreth SLC6A4, duke kërkuar dëshmi të tjera të markerëve biologjikë të cilët mund të jenë të lidhur me depresionin. Shpresa është se një ditë të kuptuarit më të madh në këtë fushë mund të ndihmojë në zbatimin e strategjive të personalizuara parandaluese të depresionit.

Natyrisht, trajtimi alternativ - zhdukja e varfërisë - është gjithashtu një objektiv që ia vlen të synohet, siç tha gjeneticisti i sjelljes Robert Philibert nga Universiteti Iowa, i cili nuk ishte përfshirë në studim, për Nature.

"Ajo që mund të shihet këtu është se në qoftë se vërtet doni ta ndryshoni neurozhvillimin, ndryshojeni mjedisin," tha ai.

Gjetjet janë raportuar në Molecular Psychiatry.