Lifestyle

Koha e kaluar në gjithësi dhe noti ndikojnë në “tkurrjen e zemrës”

Descriptive Text

“Një nga gjërat që i kemi mësuar gjatë shumë vjetësh studimi është se zemra është shumë plastike. Pra, zemra i përshtatet ambientit ku ndodhet”, ka thënë profesori Benjamin Levine, i cili njëherësh është drejtor i Institutit të Mjekësisë Mjedisore dhe të Ushtrimeve. “Në udhëtimin në gjithësi, një nga gjërat që ndodh është se nuk keni më nevojë që ta pomponi gjakun përpjetë, për shkak se nuk jeni duke pompuar në një qendër graviteti”

Periudha të gjata kohore të kaluara në hapësirë kanë diçka të përbashkët me notin: që të dyja aktivitetet mund të shkaktojnë tkurrje në zemër.

Ky është rezultati përfundimtar i dalë nga një studimi, i cili i ka krahasuar efektet e një viti të kaluar në gjithësi të astronautit, Scott Kelly, dhe maratonën në not të atletit, Benoît Lecomte.

Që të dyja aktivitetet ka rezultuar se i largojnë presionet në zemër, të cilat zakonisht zbatohen nga graviteti, duke i shkaktuar atrofi organit jetik.

Ushtrimi nuk ishte i mjaftueshëm në cilindo rast për t’i llogaritur ndryshimet në zemër.

Studimi ishte udhëhequr nga mjeku Benjamin Levine, profesor i mjekësisë interne në Universitetin e Qendrës Mjekësore të Teksasit dhe është publikuar në revistën “Circulation”.

Ai përmban implikime për udhëtime shumë të gjata në gjithësi – si ekspeditat në Mars, të cilat NASA planifikon që t’i realizojë gjatë dekadave në vijim.

“Një nga gjërat që i kemi mësuar gjatë shumë vjetësh studimi është se zemra është shumë plastike. Pra, zemra i përshtatet ambientit ku ndodhet”, ka thënë profesori Levine, i cili njëherësh është drejtor i Institutit të Mjekësisë Mjedisore dhe të Ushtrimeve. “Në udhëtimin në gjithësi, një nga gjërat që ndodh është se nuk keni më nevojë që ta pomponi gjakun përpjetë, për shkak se nuk jeni duke pompuar në një qendër graviteti”.

Scott Kelly kishte qëndruar 340 ditë jashtë Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor për t’ua mundësuar shkencëtarëve që t’i studiojnë efektet e udhëtimeve të gjata në trupin e njeriut.

Më 5 qershor 2018, Benoît Lecomte kishte vendosur të notonte nëpër Oqeanin Paqësor, gjersa më parë e kishte përshkuar Atlantikun. Ai notoi 2.821 kilometra për 159 ditë.

Notimi për periudha të gjata kohore i ndryshon ngarkesat e vendosura në zemër nga graviteti, për shkak se personi është në një pozitë horizontale e jo vertikale.

Lecomte kishte notuar mesatarisht 5.8 orë në ditë, duke fjetur rreth 8 orë çdo natë. Kjo do të thotë se ai ka kaluar 9 deri në 17 orë çdo ditë në pozitën horizontale.

Shkencëtarët nganjëherë përdorin studime të shtrirjes në shtrat për ta simuluar udhëtimin në gjithësi, për arsye se shtrirja e largon qëndrimin kokë e këmbë, i cili e ngarkon zemrën.

Por, profesori Levine ka thënë se qëndrimi në ujë për periudha më të gjata kohore në pozitën horizontale është model edhe më i mirë për kohën e kaluar në hapësirë. Për shkak se të dy personat nuk pompojnë gjak përpjetë, të dy zemrat filluan ta humbin masën.

Sidoqoftë, stërvitjet mund të kundërveprojnë ndaj procesit të humbjes së masës.

Astronautët në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar kanë regjim intensiv të ushtrimeve për ta zvogëluar përhumbjen e masës së muskujve dhe eshtrave që ndodh në gjithësi. Mirëpo, regjimi i ushtrimeve nuk ka ndihmuar për ta parandaluar atrofinë e zemrës, e cila është vërejtur te astronauti Kelly.

Në fillim të studimit, studiuesit ishte menduar nëse sasia e ushtrimeve fizike që Lecomte ishte duke i bërë në ujë mund të jetë e mjaftueshme për ta parandaluar atrofinë në zemër.

“Kam menduar që zemra e Benit nuk do të pësonte kurrsesi atrofi. Por një nga gjërat më të mira në shkencë është se mëson më së shumti, kur zbulon gjëra që fare nuk i ke pritur”, ka thënë Levine. “Doli se kur noton për shumë orë për një ditë, nuk është sikur të jesh Michael Phelps, ai nuk noton aq fort sa mundet”.

Mirëpo, Lecomte kishte ndërmarrë lëvizje të lehta gjatë tërë kohës.

“Nuk ka shumë aktivitet. Nivelet e ulëta të aktivitetit fizik nuk e mbrojnë zemrën nga adaptimi në mungesë të gravitetit”, ka thënë profesori.

Sidoqoftë, adaptimet e zemrës nuk janë afatgjata – zemrat e që të dy personave të studiuar janë rikthyer në normalitet, në kohën kur janë kthyer në tokë.

Por mund edhe të ndodhin disa ndryshime, kur njerëzit kthehen në tokë. Mund të ndodhë i ashtuquajturi fibrilacioni atrial, ku zemra rreh shpejt dhe në një mënyrë të çrregullt. Mund ta dëmtojë stërvitjen, por mund ta rrisë edhe rrezikun e goditjes në tru.

Ekziston edhe një rrezik tjetër për organin kryesor, të cilin e shkakton udhëtimi në hapësirë. Nivelet e larta të rrezatimit në hapësirë mund ta sjellin sëmundjen koronare. Astronautët i ekspozohen ateroklorisisit, por edhe në përgjithësi janë të moshës mesatare kur shkojnë në gjithësi dhe shkencëtarët e dinë se ky problem krijohet me moshën.

“Kjo është e rëndësishme pasi që nëse pësojnë sulm në zemër kur janë në gjithësi, atëherë është katastrofike”, ka thënë profesori.

Levine është pjesë e programit “Cipher” të NASA, i cili do t’i dërgojë 10 astronautë në hapësirë në një mision që do të zgjasë shumë kohë. Zemrat e anëtarëve të ekipit do të jenë subjekte të testeve të ndryshme të studiuesve dhe të metodave të skanimit me teknologji të zhvilluar, që do t’u sigurojnë një pamje më të qartë të funksionimit të zemrës në hapësirë.