Lifestyle

Fëmijët që pinë alternativa të qumështit të lopës janë më të shkurtër

Derisa konsumimi i qumështit të lopës po bie, hulumtimi i ri tregon se një trevjeçar i cili i ka pirë tri gota në ditë mund të jetë pothuajse dy centimetra më i gjatë se një fëmijë që ka konsumuar lloje të tjera të qumështit.

Në vitet e fundit, konsumi i qumështit të lopës në Amerikën e Veriut ka rënë ndjeshëm. Gjithnjë e më shumë njerëz po e zëvendësojnë qumështin e lopës me alternativa joqumështore të bimëve ose arrave, qoftë për arsye mjekësore ose për shkak se ai është perceptuar të jetë më i shëndetshëm. Konsumi amerikan i qumështit ka rënë nga më shumë se 113 litra qumësht për person në vit në vitet 1970, në rreth 68 litra qumësht tani.

Ndërkohë që konsumimi i qumështit ka rënë, zëvendësuesit e rinj të qumështit kanë dalë në skenë. Qumështi i sojës, qumështi i bajameve, qumështi i shqemes dhe qumështi i kërpit janë vetëm disa nga dhjetëra ose më shumë lloje të alternativave të qumështit.

Por hulumtimet e reja tregojnë se qumështi i lopës mund të jetë ende një burim thelbësor i ushqyesve për fëmijët e shëndetshëm, transmeton Koha.net. Punimi, i publikuar në American Journal of Clinical Nutrition, e zbuloi një korrelacion midis fëmijëve që nuk e pinë qumështin e lopës dhe fëmijëve që ishin më të shkurtër.

“Fëmijët që e konsumojnë qumështin që nuk është i lopës kanë tendencë të jenë më të shkurtër me 0.4 centimetra për filxhan në ditë”, - tha dr. Jonathon Maguire, pediatër dhe studiues në Spitalin St. Michael në Toronto dhe autor i studimit.

“Dallimi nuk është për t’u neglizhuar,” shtoi Maguire, megjithëse ai tha se është ende e paqartë nëse dallimi i gjatësisë vazhdon në moshën e rritur.

Sipas studimit, diferenca e gjatësisë për një 3-vjeçar që i konsumoi 3 filxhanë qumësht jo-të-lopës në ditë në krahasim me 3 filxhanë qumësht të lopës në ditë ishte 1.5 cm.

Ndonjëherë prindërve mund t'u duket se ka shumë arsye pse duhet ose pse nuk duhet të ushqehen fëmijët e tyre me ushqime të caktuara. Qumështi mund të ndihmojë në gjatësi, por mund të shtojë edhe në peshë. Vezët janë treguar kohët e fundit të jenë të mira për rritjen e fëmijëve, por kanë gjithashtu mjaft kolesterol.

Arsyeja se pse ai dëshironte të përfundonte studimin, tha Maguire, ishte t’i ndihmonte prindërit t’i kuptonin efektet që ushqimet e ndryshme i kanë tek fëmijët e tyre.

“Prindërit marrin çdo ditë vendime të cilat ndikojnë në jetën e fëmijëve të tyre”, tha Maguire, i cili është edhe vetë baba. “Por shumë herë ne nuk kemi shumë të dhëna për t’u informuar për vendimet tona”.

Dr. Tanya Altmann, pediatre dhe autore librash e cila nuk ishte e lidhur me studimin, pajtohet se qumështi i lopës mund të jetë faktor në rritjen e fëmijëve, transmeton Koha.net. “Fëmijët që pinë qumësht si fëmijë të vegjël dhe fëmijë të rinj, rriten në përgjithësi më të shëndetshëm”, tha ajo.

Por Andy Bellatti, nutricionist profesionist dhe drejtor strategjik i Dietitians for Professional Integrity, tha se fëmijët mund të jenë krejtësisht të shëndetshëm pa qumështin e lopës për aq kohë sa e hanë një dietë të ekuilibruar. Ai vuri në dukje se gjatësia, e vetmja metrikë e studiuar nga Maguire, në shumë raste ndikohet shumë nga gjenetika.

“Është krejtësisht e mundur që të rritet një fëmijë i shëndetshëm pa i dhënë qumësht lope”, u shpreh Altmann, “por është më sfiduese”.

Maguire tha se prindërit e fëmijëve të cilët nuk janë në gjendje ta konsumojnë qumështin e lopës për arsye mjekësore, siç është intoleranca ndaj laktozës ose alergjia ndaj qumështit, nuk kanë nevojë të shqetësohen shumë. Por prindërit që blejnë zëvendësues qumështi duhet të jenë të kujdesshëm se cilat produkte qumështi me bazë bimore i blejnë, pasi që jo të gjithë e kanë të njëjtën materie ushqyese. Ajo që është e nevojshme, tha Maguire, janë “produktet alternative të qumështit që janë ekuivalente me qumështin e lopës”.

Maguire vuri në dukje se për shkak të natyrës vëzhguese të studimit, rezultatet nuk ishin definitive. Një studim i mirë, tha Maguire, do të ishte një provë e kontrollit rastësor. Por, shton ai, “kjo do të jetë një sprovë shumë e vështirë për ta bërë”, përcjell Koha.net.

Në fund, të gjithë ekspertët bien dakord se pavarësisht nëse fëmijët pinë qumësht me bazë bimore ose qumështin e lopës, është thelbësore që një fëmijë në rritje ta marrë sasinë e duhur të proteinave dhe kalorive në mënyrë që të përparojë.