Lifestyle

Mjekët sugjerojnë se COVID-19 mund ta shkaktojë diabetin

Më shumë se 350 mjekë kanë raportuar mbi dyshimet për diabetin e shkaktuar nga COVID-19, si të tipit 1 ashtu edhe të tipit 2

Një grup i shkencëtarëve nga gjithë bota kanë bërë të ditur se ekzistojnë tashmë një numër përherë më i madh i provave se sëmundja pandemike COVID-19 mund të shkaktojë diabetin te disa pacientë.

Profesori Francesco Rubino, nga Kolegji Mbretëror i Londrës, është duke i prirë thirrjes për një hulumtim të plotë të lidhjes së mundshme midis dy sëmundjeve. Duke u ballafaquar me rastet në rritje të diabetit të tipit 1 dhe 2 mes personave që janë prekur nga koronavirusi, disa mjekë janë madje duke e shqyrtuar mundësinë se virusi - duke e prishur nivelin e sheqerit në metabolizëm – mund edhe ta shkaktojë një formë krejtësisht të re të diabetit.

Rubino e kuptoi për të parën herë këtë lidhje të mundshme gjatë një feste çaji me kolegët nëpërmjet “Zoom”, ku po diskutohej rreth rasteve të mundshme. Rubino dhe të tjerët e krijuan kësisoj një regjistër për të filluar bashkimin dhe analizimin e këtyre raporteve. Hulumtuesit kryesorë të regjistrit, në kuadër të të cilit janë mbledhur raportet prej më shumë se 350 mjekëve, të cilët dyshonin se kishin hasur në një apo më shumë raste të diabetit të ndërlidhur me COVID-19, kanë thënë që numrat vështirë se mund të anashkaloheshin.

“Gjatë disa muajve të fundit, kemi hasur në më shumë raste të pacientëve që ose kishin zhvilluar diabet gjatë përvojës me COVID-19 ose menjëherë pas saj. Po fillojmë të mendojmë se lidhja është mbase e vërtetë – virusi e ka një aftësi për të shkaktuar një mosfunksionim të metabolizmit në aspektin e sheqerit”, ka thënë Rubino.

Nëse do të kishte një lidhje biologjike, kjo gjë do të ishte vështirë të provohet pa një bazë të dhënash të konsiderueshme, ka theksuar ai. “Thamë se ia vlen që të fillohet me një hulumtim, ngase kjo gjë – sidomos kur kihet parasysh pesha e rëndë e pandemisë - mund të përbëjë një problem madhor”.

Pacientët me diabet paraekzistues kanë shkallë dukshëm më të lartë rreziku për të pësuar komplikime serioze nga COVIS-19 dhe ata në Britaninë e Madhe janë radhitur në listën e prioritarëve për vaksinim. Lidhjet midis viruseve të tjera dhe diabetit, si dhe mënyra sesi virusi Sars-CoV-2, i cili e shkakton COVID-19, depërton në shumë organe ka shkaktuar shqetësim.

“Në mendjen time nuk ka dyshime. COVID-19 pa dyshim është shkak i diabetit të ri”, ka thënë Paul Zimmet, profesor i diabetit në Universitetin Monash të Australisë. “Por ende nuk e kuptojmë plotësisht – pikë së pari, madhësinë dhe, së dyti, se cilat prej gjërave që i kemi hipotezuar janë faktorët kryesorë”.

Hipoteza e shkencëtarëve është se pasi që Sars-CoV-2 ndërvepron me një receptor të quajtur ACE-2 për të infiltruar në qelizat e një sërë organeve, përfshirë pankreasin, mund ta prishë metabolizmin e sheqerit. Një shpjegim tjetër i mundshëm është përgjigjja e antitrupave të trupit, të cilët duhet që ta luftojnë virusin, reagon së tepërmi dhe i sulmon organet kyç që e mbajnë në nivel normal glukozën.

“Tani, të gjitha këto janë vetëm teori ... teori që nuk janë filozofike por të bazuara në biologji dhe përvojë me viruse të tjera”, ka thënë Rubino, shef i kirurgjisë metabolike dhe bariatrike.

Viruset e tjera – sidomos ato të infeksionet enterovirale - janë ndërlidhur me shkaktimin e diabetit të tipit 1, në të cilin trupi sulmon qelizat në pankreas, duke e penguar prodhimin e insulinës. Antitrupat enteroviralë janë regjistruar në nivele më të larta te nënat shtatzëna, të cilat kanë zhvilluar diabet të tipit 1, dhe infeksione më të shumta enterovirale janë të prira që të zbulohen tek fëmijët që e zhvillojnë këtë gjendje, krahasuar me vëllezërit dhe motrat që nuk e kanë një problem të tillë.

Mjeku Sathish Thirunavukkarasu, një hulumtues në Universitetin McMaster të Kanadasë, ka kryer një përmbledhje që përfshin tetë studime nga vende të ndryshme të botës, duke nisur nga pesë muajt e parë të pandemisë. Thirunavukkarasu dhe kolegët kanë konstatuar 492 raste të diabetit të diagnostikuar rishtazi midis 3711 pacientëve të hospitalizuar me COVID-19. Këto të dhëna përfshijnë si pacientët me COVID-19, të cilët ishin diagnostikuan me diabet për herë të parë, po ashtu edhe personat që më parë kanë pasur diabet - por nuk e dinin se e kishin këtë sëmundje, ka shpjeguar ai.

Rreth 3.9 milionë persona në Mbretërinë e Bashkuar janë diagnostikuar me diabet që nga viti 2019, por mjekët besojnë se ka mijëra që mbesin të padiagnostikuar, një statistikë kjo që mbase është përkeqësuar shkaku i pandemisë.

Ian Braithwaite, mjek në Shërbimin Kombëtar britanik të Shëndetit dhe bashkëthemelues i “Habitual”, një kompani kjo për parandalimin dhe luftimin e diabetit, ka aluduar se analiza e Thirunavukkarasus dhe e kolegëve ishte gjithashtu e kufizuar te pacientët në spital, andaj nuk është e qartë nëse rastet e ngritjes së nivelit të sheqerit në gjak i vejnë pacientët në rrezik për diabet.

Një rritje e niveleve të sheqerit mund të mos ketë të bëjë me diabetin, por me përgjigjen e trupit ndaj infeksionit. Përveç kësaj, steroidet që përdoren për trajtimin e pacientëve të caktuar me COVID-19 njihen gjithashtu se e ngrenë nivelin e sheqerit në gjak, kanë theksuar mjekët.