Lifestyle

Ekspertët zbërthejnë ndikimin e COVID-19 në sistemin e tretjes

Sipas statistikave, 53 për qind e pacientëve të prekur nga sëmundja e shkaktuar prej koronavirusit të ri zhvillojnë të paktën një simptomë gastrointestinale

Sëmundja pandemike ​COVID-19 është ditur që nga fillimi se shkakton telashe në sistemin e frymëmarrjes, mirëpo vetëm pak kohë më parë është konfirmuar se mund të prekë gjithashtu edhe pjesë të tjera të trupit.

Ekspertët amerikanë të shëndetësisë kanë vërtetuar se COVID-19 mund të prekë theksueshëm mushkëritë, zemrën, por gjithashtu edhe sistemin e tretjes.

Sipas statistikave, 53 për qind e pacientëve me COVID-19 zhvillojnë të paktën një simptomë gastrointestinale, ka shkruar të enjten gazeta “Times of India”.

Përveç kësaj, te disa pacientë simptomat gastrointestinale mund të shfaqen edhe në një fazë të hershme të sëmundjes, përderisa mes disa pacientëve këto simptoma janë në fakt treguesi i vetëm i infeksionit. Ekspertët me këtë rast kanë identifikuar disa prej shenjave të zakonshme që e identifikojnë ndikimin e sëmundjes së shkaktuar nga koronavirusi i ri në sistemin tretës.

Humbja e oreksit

Një numër i konsiderueshëm i personave që vuajnë nga COVID-19 kanë raportuar për humbje të theksueshme të oreksit. Humbja e pazakontë e oreksit mund të jetë tregues i infeksionit. Ngrënia e ushqimit të shëndetshëm është çelësi për shërimin nga sëmundja, ndërkaq humbja e oreksit mund ta ngadalësojë procesin e shërimit dhe të shkaktojë edhe humbje në peshë, ka shkruar gazeta, duke u bazuar në konstatimet e mjekëve.

Për të shmangur këtë gjë, ekspertët kanë rekomanduar që pacientët të hanë ushqime të pasura me proteina dhe që ndihmojnë në forcimin e përgjigjes imunitare.

Ngërçet në bark

Disa pacientë kanë raportuar për ngërçe dhe dhimbje barku, si simptoma të koronavirusit. Dhimbjet e stomakut mund të shkaktohen nga ndonjë inflamacion aktiv ose infeksion i zorrëve. Përveç kësaj, ato mund të ndodhin edhe kur virusi korona sulmon traktin e ndjeshëm të tretjes.

Diarre dhe vjellje

Simptomat e diarresë dhe vjelljes zakonisht shfaqen në fazën fillestare të sëmundjes. Në raste të infeksionit serioz, disa pacientë gjithashtu mund të vjellin edhe gjak dhe të kenë nevojë për kujdes urgjent mjekësor. Diarreja mund të jetë tregues i një forme më të moderuar apo më të rëndë të sëmundjes COVID-19.

Humbja e shijes dhe nuhatjes

Simptoma më e rëndomtë e sëmundjes është humbja e shqisës së shijimit dhe të nuhaturit. Këto janë disa prej simptomave më karakteristike, ndërkaq mund të jenë një tregues i problemeve gastrointestinale, të shkaktuara nga virusi. Përveç kësaj, humbja e shqisës së shijes dhe nuhatjes mund të çojë edhe në humbjen e oreksit, e cila mund të ndikojë më tej në tretje dhe vetëshërim.

Përveç kësaj, infeksioni viral mund të shkaktojë humbje peshe dhe mund të ndikojë negativisht në metabolizëm, i cili mund të ndikojë në zgjatjen e procesit të shërimit dhe në dobësimin e përgjigjes imunitare të trupit ndaj virusit.