Lifestyle

Trajtimi me antitrupa monoklonalë, i pasuksesshëm ndaj varianteve të reja

Pritshmëritë nga kjo mënyrë e trajtimit kanë qenë të larta. Njëri prej ilaçeve të zhvilluar sipas kësaj metode, nga kompania “Regeneron” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ishte dhënë ish-presidentit Donald Trump dhe besohej të ketë pasur rëndësi të theksueshme në shërimin e tij. Që atëherë është testuar te pacientët e hospitalizuar në Mbretërinë e Bashkuar

Të konsideruara si shpresë e madhe për trajtimin me ilaçe kundër COVID-19 – antitrupat monoklonalë – janë duke dështuar në luftën kundër varianteve të reja të virusit, si ato që janë evidentuar në Afrikën e Jugut dhe në Brazil, kanë zbuluar të martën shkencëtarët.

Pritshmëritë nga kjo mënyrë e trajtimit kanë qenë të larta. Njëri prej ilaçeve të zhvilluar sipas kësaj metode, nga kompania “Regeneron” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ishte dhënë ish-presidentit Donald Trump dhe besohej të ketë pasur rëndësi të theksueshme në shërimin e tij. Që atëherë është testuar te pacientët e hospitalizuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Por, për zhgënjim të atyre që kanë punuar në terapitë kundër sëmundjes, që të tre pretendentët kryesorë – ai i “Regeneronit” dhe ilaçet e “Eli Lilly” dhe “GlaxoSmithKlines” – kanë dështuar në luftimin e një apo më shumë varianteve të reja të koronavirusit.

Antitrupat kanë avantazhe të mëdha si trajtime, ka thënë Nick Cammack, i cili udhëheq trupin e përshpejtimit të procesit terapeutik ndaj COVID-19 në “Wellcome”. Ato derivojnë nga klonimi i qelizës së bardhë të gjakut dhe i imitojnë efektet e sistemit imunitar. Janë shumë të sigurt dhe të krijuar specifikisht për ta shënjestruar virusin dhe përdorimi i tyre ishte konsideruar si tejet premtues për stopimin e avancimit të sëmundjes në fazë të hershme.

“Sfida u shfaq gjatë Krishtlindjes, kur variantet e reja janë shfaqur – ato në Afrikën e Jugut dhe në Brazil. Ndryshimet te virusi kanë ndikuar që ngritja e proteinave në fakt t’i mënjanojë këta antitrupa”, ka thënë ai. “Andaj, faktikisht, shumica e terapive kryesore me antitrupa për COVID, të cilat janë mes terapive kryesore – që ishin shpresa më e madhe – më duhet të them se janë mposhtur ndaj varianteve nga Afrika e Jugut dhe Brazili”.

Trajtimi i “GlaxoSmithKlines” ende funksionon kundër këtyre varianteve, por jo edhe kundër atij që është shfaqur në Kent të Mbretërisë së Bashkuar. Por, me mutacionet e deritanishme të koronavirusit, Cammacku nuk pret që ndonjëra prej ilaçeve ekzistuese të 0etë efektive për kohë të gjatë.

Studiuesve tani u duhet që të gjejnë rajone “të konservuara” të virusit që nuk pësojnë mutacione për t’i shënjestruar ato me antitrupa.

“Mendoj se është goxha e qartë, përderisa i kemi parë variantet nga Afrika e Jugut, Mbretëria e Bashkuar dhe Brazili, do të ketë edhe të tjerë. Dhe duhet që të grumbullojmë sekuenca, sekuenca gjenetike të virusit kudo në botë, të cilat mund të tregojnë se ku po ndodhin ndryshimet dhe të demonstrojnë se cilat janë rajonet e kursyera”, ka shtuar ai.

Ilaçet ende rezulton se funksionojnë kundër virusit origjinal dhe janë duke u përdorur në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Antitrupat monoklonalë ishin zgjedhur për ta shënjestruar proteinën majë të virusit, i cili ngjitet në qelizat e trupit të njeriut. Në përgjithësi, ka thënë ai, ky rajon i virusit nuk ndryshon aq, për shkak se nëse ndryshon nuk do të mund të ngjitet edhe aq mirë te qelizat.

“E po, ja ku jemi me një virus që e bën ndryshimin që faktikisht e ndihmon atë që të ngjitet në qelizë edhe më mirë. Andaj, këto monoklonime humbin”, ka thënë Cammacku. “Andaj, jemi kthyer sinqerisht në pikën fillestare”.

Të dhënat e kufizuara shkencore të publikuara rreth varianteve dhe antitrupave monoklonalë ekzistojnë – ekziston një studim i parashikuar nga Afrika e Jugut dhe një tjetër nga Kina. Studime të tjera priten gjatë javëve të ardhshme.

“Antitrupat monoklonalë janë një prej mjeteve më të fuqishme të mjekësisë moderne”, sipas një raporti të fundit të “Wellcome” mbi zgjerimin e qasjes te qytetarët në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Ato përdoren në trajtimet për kancerin dhe sëmundje autoimune, si rematisi artirtik, dhe janë testuar edhe kundër HIV-it. Por, janë të kushtueshëm dhe relativisht të vështirë për t’u krijuar, andaj vetëm vendet e kamura kanë përfituar përnjëmend prej tyre.

Shpresa, ka thënë Lindsay Keir, një autore e raportit, është se COVID-19 mund të bëhet një katalizator për t’i përhapur edhe në pjesët e tjera të botës.

“COVID-i e ka shpërfaqur potencialin e përdorimit të tyre për sëmundje të tjera, sikurse ato infektive. Por, ende nuk kemi qenë në gjendje që ta gjejmë një rrugë të thjeshtë për t’i bërë antitrupat monoklonalë të qasshëm për të gjithë”, ka thënë ajo, duke shtuar se ka edhe të tjera trajtime me antitrupa që aktualisht janë duke u testuar kundër COVID-19.

Të ballafaquara me sfidën, kompanitë janë duke punuar bashkë, ka thënë Cammacku.

Ilaçet e kombinuara, si ai në testim që është raportuar javën e shkuar nga “GlaxoSmithKline” dhe “Eli Lilly”, mund të jenë pjesë e rëndësishme e përgjigjes. \ Guardian