Lifestyle

Vaksinat antiCOVID: Cilat janë rreziqet dhe efektet e ditura anësore?

Në të gjithë botën, me miliona njerëz mbajnë shpresat te vaksinat kundër koronavirusit. Në të njëjtën kohë ka po kaq shumë sosh që janë në mëdyshje - nga njëra anë ata duan të mbrohen nga një infektim i mundshëm, por në tjetrën u druajnë efekteve të mundshme anësore nga vaksinimi.

Droja mbizotëruese është ajo nëse vaksinat e zhvilluara në kohë rekorde janë përnjëmend të sigurta dhe nëse janë mbikëqyrur me kujdes efektet anësore.

Cilat reaksione të vaksinës janë normale e cilat shihen si reaksione të mundshme? Dhe a duhet të vaksinohemi?

Reagime normale pas një vaksinimi

Është normale që pas vaksinimit trupi të reagojë: për shembull, rreth vendit të gjilpërës mund të ketë skuqje, ënjtje apo dhimbje. Edhe lodhja, rritja e temperaturës, dhimbjet e gjymtyrëve apo të kokës nuk janë të pazakonta në tri ditët e para pas vaksinimit.

Këto reagime normale zakonisht janë të lehta dhe nuk ndihen pas disa ditësh. Ato tregojnë në fakt se vaksina po i jep efektet e saj, se sistemi imunitar i trupit po reagon dhe trupi po krijon antitrupat mbrojtës nëpërmjet infektimit “të supozuar” nga vaksinimi.

Këto reagime tipike janë raportuar edhe pas futjes në përdorim të vaksinës së kompanive “BioNTech” dhe “Pfizer”, por edhe të asaj nga “Moderna”, “AstraZeneca” dhe vaksina ruse “Sputnik V”.

Efektet e rënda anësore më të rralla

Krahas reagimeve tipike të vaksinës, në raste të veçanta ka pasur edhe reaksione të forta të trupit, si për shembull shoku alergjik. Por, këto janë raste të veçuara.

Në përgjithësi, vaksinat e lejuara, sipas Agjencisë Evropiane të Medikamenteve (EMA), Autoritetit Amerikan të Medikamenteve (FDA) dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, janë të sigurta ngase në të kundërtën nuk do të lejohej përdorimi i tyre.

Disa nga vaksinat e reja, të ashtuquajturat mRNA, dallojnë thellësisht nga vaksinat e mëparshme: ato nuk përmbajnë viruse të dobësuara, por vetëm udhëzues strukturimi të një pjesëze të virusit. Vaksinat e tjera janë të ashtuquajtur vaksina me vektor, të cilat përdorin adenoviruset (si viruset e gripit që prekin vetëm shimpanzetë) në mënyrë që ta mundësojnë depërtimin e proteinës sipërfaqësore të virusit SARS-CoV-2e, njohur si proteina Spike, dhe kështu të shkaktojnë reagimin imunitar.

Vaksinat më të njohura dhe rreziqet e tyre:

“BioNTech”-“Pfizer”

Gjatë fazës së testimit të substancës BNT152b2 të firmës gjermane “BioNTech” dhe partnerit “Pfizer” nga SHBA, nuk janë shfaqur efekte anësore serioze. Reaksione tipike si lodhja e dhimbja e kokës u shfaqën te pacientët më të moshuar dhe ishin kryesisht të reagime të lehta. Por, qëkur është vënë në përdorim kjo vaksinë, disa pacientë kanë shfaqur menjëherë pas vaksinimit reagime të forta alergjike. Një pacient në SHBA dhe dy britanikë madje kanë pësuar një të ashtuquajtur shok anafilaktik, të lidhur me skuqje të lëkurës dhe probleme me frymëmarrjen.

Për shkak se këta persona nuk kishin pasur sëmundje të tjera dhe as nuk njiheshin si alergjikë, autoritetet britanike kanë paralajmëruar personat me alergji kundër vaksinimit.

“Moderna”

Vaksina mRNA-1273 e koncernit amerikan “Moderna” është po ashtu një kurë e bazuar në linjën gjenetike që ka afërsi me atë të “BioNTech”-“Pfizer”. Gjatë studimeve klinike, sipas të dhënave të prodhuesit dhe autoriteteve kontrolluese, nuk janë shfaqur probleme te marrësit vullnetarë. Reaksionet tipike janë të lehta ose zgjasin pak ditë. Megjithatë, sipas një raporti të ndërmjetëm të një instance të pavarur, te 9.7 për qind e të testuarve janë evidentuar efekte të ndjeshme lodhjeje pas vaksinës mRNa-1273.

Edhe te vaksina e “Modernas” ka pasur disa raste të reagimeve alergjike dhe shumë pak raste paralizim të nervit të fytyrës. Nuk dihet qartë nëse këto reaksione kanë lidhje me vaksinën.

Ekziston mundësia për një efekt anësor jo të shkaktuar nga mRNA-ja, por nga pjesëzat nano-lipide që shërbejnë si mbajtës të mRNA-së dhe të cilat trupi më vonë i nxjerr jashtë.

“AstraZeneca”

Te koncerni suedezo-britanik “AstraZeneca”, një rast në shtator shkaktoi vëmendje të thellë mediatike gjatë fazës së testimit klinik. Një testues pas vaksinimit pësoi inflamacion të palcës kurrizore. Studimi u ndërpre për një kohë të shkurtër, derisa një komision i pavarur ekspertësh doli me konstatimin se inflamacioni nuk ishte i lidhur me vaksinën.

Edhe te vaksina e “AstraZenecas” janë shfaqur reaksionet tipike, si dhimbja në vendin e injektimit, dhimbjet e muskujve apo të kokës, si dhe lodhja. Edhe në këtë rast reaksionet shfaqeshin te personat e moshuar - por rrallë - dhe efektet ishin të vogla.

“Sputnik V”

Që në gusht të 2020-s Rusia e lejoi vaksinën vektor Gam-COVID-Vac (Sputnik V), por pa pritur fazën e tretë të studimeve klinike me dhjetëra-mijëra testues. “Sputnik V” përdor dy adenovire të ndryshëm të modifikuar - (rAd26-S dhe rAd5-S).

Në të gjithë botën ka pasur reagime të shumta kundër Qendrës Shkencore të Moskës, Gameleja, e cila e zhvilloi vaksinën. Kjo ngase në studimin e prezantuar për vaksinën shfaqeshin dyfishime të shpeshta që u interpretuan si shenja manipulimi. Megjithëkëtë, “Sputnik V” është duke u përdorur në disa vende, si në Bjellorusi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Indi, Brazil dhe në Argjentinë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, reaksionet kryesore kanë qenë kokëdhimbja dhe temperatura. Nuk ka pasur raportime për efekte anësore të rënda.