Lifestyle

Si të largoni toksinat dhe peshën e tepërt nga trupi

Foto: Ilustrim

Është ajo periudhë e vitit kur me siguri ndiheni më te rënduar e të fryrë se zakonisht.

Pas pushimeve e pas festave të fundvitit, ku ushqimi i shijshëm e pijet e ëmbla nuk kanë munguar në asnjë ditë, çfarë ka mbetur tanimë janë kilogramët e tepërt.

Po në këtë periudhë, nisin edhe dietat e ndryshme dhe planet e mirëmbajtjes së trupit të cilat shpesh kërkojnë shumë përkushtim.

Ndonëse duket si dëshira e pa realizuar e çdo viti, heqja e disa kilogramëve të tepërt dhe largimi i toksinave nga trupi mund të jenë më të lehta nga sa mendoni.

Niseni me ujin

Rregulli i famshëm i 8 gotave me ujë në ditë qëndron në këtë kohë më shumë se kurrë.

Nëse pëlqeni ta shijoni ujin në çdo kohë, këtë proces drejt pastrimit të organizmit do ta ndjeni si një pjesë të rutinës tuaj të përditshme.

Uji më shumë se çdo pije tjetër ndihmon mëlçinë të largojë toksinat e tepërta dhe ju mban të hidratuar, veçanërisht nëse keni konsumuar shumë alkool, sheqer apo kafeinë në javët e fundit.

Në një studim të vitit 2013 për National Library Medicine, tregohet se personat mbipeshë të cilët konsumojnë 1-2 litra ujë për disa javë rresht, kanë humbje të masës trupore, reduktim të dhjamit rreth zonës së barkut dhe më pak toksina në organizëm.

Njerëzit shpesh ngatërrojnë ndjesinë e etjes me atë të urisë, ndaj para se të merrni diçka për të ngrënë pini pak ujë të ftohtë.

Në këtë mënyrë do të ndiheni më të ngopur dhe do të digjni më shumë kalori edhe teksa ushqeheni.

Studime më të hershme kanë treguar se kjo mënyrë është mjaft efikase për të humbur deri në 2 kilogramë në një periudhë 12 javore, vetëm duke konsumuar ujë.

Përtej këtyre të dhënave, uji ndihmon në përçimin e oksigjenit në të gjithë trupin si dhe ndihmon në funksionimin e mirë të trurit, ndaj qëndroni të hidratuar. (AgroWeb)