Lifestyle

45 minuta ushtrime intensive për humbje të peshës dhe krijimin e muskujve

Nëse po kërkoni ta humbni dhjamin në trup dhe të formoni muskuj, kjo stërvitje 45-minutëshe e krijuar nga instruktori i certifikuar i fitnesit, John Kersbergen, është metoda e duhur për ta arritur qëllimin tuaj.

Ajo i kombinon ushtrimet kardio me lëvizjet e trajnimit të forcës, prandaj përveç djegies së kalorive ju ndihmon të formoni edhe muskuj, çka e rrit dukshëm metabolizmin dhe ndikon në djegien e më shumë kalorive dhe dhjamit, kur nuk jeni duke ushtruar fitnes.

Në thelb, kjo rutinë ju ndihmon të humbni peshë në mënyrë efektive, pa marrë shumë kohë, por jini të vëmendshëm, stërvitja në fjalë kërkon ritëm të shpejtë dhe ju bënë të humbi jashtëzakonisht shumë djersë.

Prandaj para se t’i filloni këto ushtrime, duhet t’i dini disa gjëra.

Nëse i bëni ushtrimet në mënyrën e duhur, ju mund të formoni muskuj, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të keni dietë të ekuilibruar të ushqimit, të pasur me proteina, si dhe të bëni gjumë të mjaftueshëm për ta arritur qëllimin tuaj. E njëjta vlen edhe për humbje të peshës. E rëndësishme është ta keni një rutinë të qëndrueshme të fitnesit, por edhe të hani ushqime të përshtatshme, që nuk përmbajnë shumë kalori. Megjithatë, nuk duhet harruar se ekzistojnë disa faktorë të cilët nuk mund t’i kontrolloni, që janë gjenet dhe hormonet e trupit. Edhe këto kanë ndikim të madh në procesin e humbjes së peshës.

Stërvitja që instruktori i fitnesit John Kersbergen e ka krijuar, quhet “Tabata” dhe është një formë e trajnimit me interval të intensitetit të lartë. Kjo stërvitje është zgjidhje e përkryer për të humbur peshë, dhe studimet e fundit kanë vërtetuar se ndihmon në largimin e trashësisë në bark, më shumë se ushtrimet kardio.

Pajisjet që ju nevojiten: një litar kërcimi, pesha mesatare ose të rënda, një kohëmatës ose aplikacionin “Tabata”, që ju ndihmon ta kontrolloni kohën e stërvitjeve në mënyrë efikase.

Udhëzimet: Filloni duke e kompletuar rutinën e ngrohjes të këmbëve, sa më shumë që mundeni brenda pesë minutave. Pastaj fillojeni bllokun e parë të ushtrimeve. Bëni 20 sekonda të ushtrimit të parë, pastaj pushoni 10 sekonda para se ta filloni pjesën e dytë të stërvitjes e cila po ashtu zgjatë 20 sekonda. Kjo rutinë përsëritet disa herë. Herë pas here mund të pushoni nga një minutë, të pini ujë, të merrni frymë thellë, ecni pak përreth dhe bëhuni gati për t’i filluar ushtrimet intensive sërish. Krejt në fund mund t’i pushoni muskujt, duke bërë shtrirje të plotë të trupit.