Lifestyle

Pasojat e pandemisë te mjekët

Fakti që kaq shumë doktorë janë të rraskapitur mund të rezultojë në pacientë që marrin kujdes jo të përshtatshëm, duke mohuar potencialisht përfitimet e njohurive tona të reja mbi trajtimet, thotë Dr. Patrick Pavoski, një neurolog 37-vjeçar në spitalin “Mercy Health” në Muskegon, Michigan

Pesha e pandemisë iu bë e qartë mjekes së urgjencës në një spital të New Yorkut, Jane Kim, në muajin prill. Pasi kaloi javë duke u kujdesur për të sëmurët rëndë, ajo mësoi për katër të vdekur mes “familjes” së saj në punë. Tre kishin vdekur nga virusi, një tjetër ishte vetëvrarë. Dhimbja e mpiu, thotë ajo. “Nuk mendon dot. Nuk lëviz dot. Nuk merr dot frymë”.

Mbështetja e miqve

Që atëherë, Kim, 39 vjeçe, u mbështet te miqtë, familja dhe terapia, për t’i bërë ballë kësaj situate. Ajo është gjithashtu e inkurajuar se mjekët tani kuptojnë më mirë se si ta trajtojnë COVID-19, krahasuar me ato ditë të hershme plot pasiguri. Por, ndërsa rastet rriten në të gjithë vendin, ajo shqetësohet se mjekët do të përballen me një “cunami” pacientësh. “Kam frikë se nuk jemi gati – emocionalisht, fizikisht, mendërisht – për ta kaluar përsëri”, thotë Kim. “Unë nuk jam.”

Ndërsa pandemia COVID-19 u përhap, u tërhoq disi dhe u zgjerua përsëri, ajo ka shkaktuar një dëm të jashtëzakonshëm për njerëz si Kim. Vetëm në SHBA, më shumë se 218,400 punonjës të kujdesit shëndetësor kanë marrë virusin dhe të paktën 800 kanë vdekur, sipas qendrave të SHBA-së për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve; rreth 12% e punonjësve të kujdesit shëndetësor amerikan janë infektuar, krahasuar me afërsisht 3.4% të popullsisë së përgjithshme.

Dhe shumë më tepër po vuajnë në mënyra të tjera – më shumë se 40% e mjekëve në Mbretërinë e Bashkuar po raportojnë përkeqësimin e problemeve të shëndetit mendor, sipas një sondazhi të muajit tetor nga Shoqata Mjekësore Britanike. Është e sigurt të thuhet se shumë punonjës të kujdesit shëndetësor nuk ndihen aspak mirë.

Mbingarkesa

Problemi i mbilodhjes së mjekëve shtrihet përtej brigjeve të SHBA-së. Silvia Giorgis, një anesteziste 49-vjeçare në spitalin Maria Vittoria në Torino, Itali, thotë se mjekët atje punuan me “adrenalinën e një sfide të re” gjatë valës së parë, por tani janë të irrituar që shumë pak u bë për ta parandaluar një rikthim. Ajo është veçanërisht e dëshpëruar nga përhapja e pretendimeve të rreme se mjekët po e ekzagjerojnë rrezikun për t’i justifikuar izolimet, që janë jopopullore dhe të dëmshme ekonomikisht. “Ne dikur merrnim ushqime, pica të mjaftueshme për të ushqyer lagje të tëra dhe gjithfarëlloj inkurajimesh, çdo ditë”, thotë Giorgis. “Nga heronj, na bënë vrasës”.

Fakti që kaq shumë doktorë janë të rraskapitur mund të rezultojë në pacientë që marrin kujdes jo të përshtatshëm, duke mohuar potencialisht përfitimet e njohurive tona të reja mbi trajtimet, thotë Dr. Patrick Pavoski, një neurolog 37-vjeçar në spitalin “Mercy Health” në Muskegon, Michigan. E di që ka nevojë për pushim, por disa nga kolegët e tij kanë dalë pozitivë ose janë të dyshuar për COVID-19.

“Nëse sëmurem, nuk e di se çfarë do të bëjnë”, thotë Pavoski. Kohët e fundit iu desh të largohej nga një pacient për ta marrë një moment për ta mbledhur veten. “Isha aq i rraskapitur sa po më zinte gjumi në dhomë dhe nuk po dëgjoja asgjë që ishte duke më thënë pacienti”, thotë ai.

Zhgënjimi

Ashtu si punëtorët e tjerë të kujdesit shëndetësor, Pavoski është i zhgënjyer që më shumë njerëz nuk po bëjnë sakrifica për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së virusit. Ai është i mërzitur nga fotot e miqve që mblidhen pa maska ​​dhe irritohet, sidomos, kur dëgjon se njerëzit po planifikojnë darkat e zakonshme të Krishtlindjes, ndërkohë që disa nga fqinjët po shtrohen në spitale me COVID-19. “I shikojmë këta njerëz në spitale dhe e dimë që ata nuk mbanin maska”.

Për Kimin, mjeken nga New Yorku, ka qenë veçanërisht e vështirë të merret me njerëz që dyshojnë në forcën e pandemisë, pavarësisht nga të gjitha provat, nga ngarkesat në rritje e deri te numri i madh i shtrimeve në spitale, që flet qartë për një fatkeqësi që po shpaloset para syve tanë. Pasi dikush ia dërgoi një artikull duke e pyetur nëse rritja e rasteve në qytetin e saj ishte e vërtetë, ajo gati sa nuk e përplasi telefonin pas murit. “Si munden këta njerëz?”- tha. “Si guxojnë ta thonë këtë?”