Lifestyle

Përfshini proteinat në ushqimet ditore

Proteinat nevojiten për ta ndihmuar trupin tuaj të rritet, për ta mirëmbajtur atë dhe për t’i rregulluar disa probleme të ndryshme.

Proteinat po ashtu janë të rëndësishme për ndërtimin dhe rregullimin e muskujve, duke ju ndihmuar t’i shijoni rezultatet e ushtrimeve fizike ditore, transmeton Koha.

Ato shquhen si burim i mirë i energjisë, sidomos në rastet kur organizmi ka mungesë të karbohidrateve, por nuk janë burim i madh në furnizimin e trupit me energji, kur jeni duke bërë ushtrime fizike.

Të rriturit kanë nevojë t’i konsumojnë rreth 0.8 gramë të proteinave në ditë, për çdo kilogram të peshës së tyre trupore. Ndërsa personat që bëjnë ushtrime të rregullta fizike dhe disa të rritur të tjerë, mund të kenë nevojë edhe për më shumë proteina.

Proteinat e shëndetshme vijnë nga ushqime të tillë si: mishi i shpendëve, si pula dhe bibani, mishi i kuq i lopës apo qengjit, mishi i peshkut si salmoni dhe tuna, produktet qumështore si qumështi dhe jogurti, perimet, vezët dhe të tjerë.

Për opsion sa më të shëndetshëm, zgjidhni të konsumoni proteina të dobëta që kanë pak yndyra dhe shmangni ushqimet e konservuara që përmbajnë proteina.