Lifestyle

Më pak se 10 për qind e amerikanëve kanë antitrupa kundër koronavirusit

Një studim i gjerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i realizuar me mostrat e gjakut të më shumë se 28.000 pacientëve në dializë mund të ndihmojë t’iu përgjigjemi njërës prej pyetjeve më të mëdha që ka përfshirë pandeminë: se sa njerëz kanë antitrupa të koronavirusit të ri SARS-CoV-2?

Përgjigjja mund të tregojë shumë rreth asaj se sa njerëz në SHBA i janë ekspozuar virusit dhe sa ka pasur shpërndarje në komunitet. Gjithashtu, strategjia e testimit e përdorur në studim prek një mënyrë relativisht të lehtë për ta gjetur aktivitetin e sëmundjes COVID-19 gjatë një kohe të gjatë, sidomos në mesin e popullsive më të ndjeshme.

Përgjigjja e prerë se sa njerëz kanë antitrupa, në korrik, është përafërsisht 9.3 për qind – edhe pse numrat silleshin nga një mesatare prej 3.5 për qind në perëndim deri në një mesatare prej 27 për qind në verilindje.

“Ky hulumtim konfirmon qartë se përpos shkallës së lartë të infektimeve me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, numri i njerëzve me antitrupa është ende tejet i ulët dhe as që i jemi afruar arritjes së cakut për imunitet të tufës. Derisa të nisë dhënia e një vaksine efektive, duhet të sigurohemi nëse popullata më e ndjeshme është duke i respektuar masat parandaluese”, ka thënë autorja e studimit, dr. Julie Parsonnet, profesoreshë e mjekësisë në Universitetin e Stanfordit.

Për studimin, i cili ishte publikuar të premten në gazetën “The Lancet”, studiuesit e prirë nga dr. Shuchi Anand nga Universiteti i Stanfordit kanë analizuar mostrat e plazmës – një përbërës i gjakut – të më shumë se 28.500 pacientëve që kanë qenë me terapi të dializës në korrik, përafërsisht në 1.300 spitale, në 46 shtete të udhëhequra nga një laborator.

Përqindja e njerëzve të cilët ishin pozitivë për antitrupa, në mesin e atyre që iu ishin marrë mostrat, ishte 8 për qind. Për shkak se pacientët në dializë nuk e përfaqësojnë popullsinë amerikane, studiuesit standardizuan rezultatet duke respektuar moshën, gjininë, etninë dhe religjionin, për të marrë një shifër prej 9.3 për qind seropozitivitet për popullsinë e rritur amerikane.

Ata gjetën se ekzistonte një dallim i madh nga shteti, me shtatë vende që kanë 0 për qind seropozitivitet në New York, një pikë e nxehtë e pandemisë së hershme, duke kryesuar listën me 33 për qind.

Studiuesit kishin mundësi gjithashtu të shihnin se kush kishte më shumë gjasa të kishte antitrupa. Ata gjetën se, krahasuar me popullsinë e bardhë, banorët e lagjeve të dominuara më shumë nga afro-amerikanët dhe hispanikët kishin dy deri në tri herë më shumë gjasa që të jenë seropozitivë. Për më tepër, njerëzit që jetojnë në zona më të varfra kishin dy herë më shumë gjasa dhe ata që jetonin në zonat me popullsi më të dendura kishin dhjetë herë më shumë gjasa që të jenë seropozitivë.

Ata gjithashtu krahasuan shifrat nga studimi i tyre me rastet e llogaritura nga Universiteti i Johns Hopkins. Nga kjo ata mundën që të përcaktonin se vetëm 9.2 për qind e pacientëve seropozitivë ishin në fakt të diagnostikuar me COVID-19, duke përdorur metodat standarde të testimit.

Pse pacientët në dializë?

Si fillim, “pacientët që janë në dializë në SHBA kalojnë nëpër një rutinë mujore të studimeve laboratorike”, kanë shkruar studiuesit, kështu që nuk ka pasur nevojë për “infrastrukturë të konsiderueshme” për të mbledhur mostra e as nuk kishte sfida të lidhura me pandeminë.

Përveç kësaj, faktorët e rrezikut për t’u infektuar me koronavirus dhe për të zhvilluar sëmundje të rëndë – përfshirë moshat e shtyra, racën jo të bardhë, varfërinë dhe diabetin – “janë rregull e jo përjashtim te grupet e popullatës në dializë në SHBA”.

Për këto arsye studiuesit kanë thënë se pacientët në dializë mund të konsiderohen “popullsi ideale rojtare” mes të cilës studiohet evolucioni i pandemisë. Por, përderisa autorët i paraqesin gjetjet e tyre, ende ka pyetje rreth jetëgjatësisë së antitrupave dhe se sa mbrojtës janë në fakt ato. Megjithëkëtë, studimet si ky, sidomos nëse mund të përsëritet për një kohë të vazhdueshme, mund të ndihmojë në gjetjen e përgjigjeve.

“Anand dhe kolegët meritojnë vlerësime për kërkimet në strategjinë e shkallëzuar të mostrave që ofrojnë një plan për mbikëqyrje në SHBA dhe në vendet e tjera me popullsi të madhe në homodializë”, kanë shkruar profesorët Barnaby Flower dhe Christina Atchison nga kolegji mbretëror i Londrës. Ata nuk ishin të përfshirë në studim.

Autorët e studimit e pretenduan të njëjtën gjë.

“Strategjia e mbikëqyrjes, e mbështetur te testimet mujore të plazmës së mbetur të pacientëve në dializë, mund të prodhojë vlerësime të paanshme të gjithëpërfshirjes së shpërndarjes së SARS-CoV-2 për t’u vërejtur lehtë. Një mbikëqyrje e tillë mund të ofrojë informata rreth prirjes së sëmundjes, shpërndarjes së saj dhe efikasitetit të ndërhyrjeve të komunitetit gjatë pandemisë COVID-19”, kanë shkruar ata.