Lifestyle

Kafe, salcë domatesh e atlete Nike – më të shiturat gjatë pandemisë në SHBA

Kafe e shpejtë, salcë domatesh, mbathje për joga dhe atlete të kompanisë Nike, janë gjithandej në listë të blerjeve. Mirëpo uji i paketuar, penelat e shtrenjta dhe palltot e markave luksoze kanë mbetur anash.

Kjo është ekonomia e konsumit gjatë kohës së pandemisë me koronavirus në Shtetet e Bashkuara. Madje situata duket se është më ndryshe sesa kurrë më parë.

“Gjithçka që kemi ditur për furnizimet dhe kërkesat mund ta gjuajmë nga dritarja, sepse nevojat e konsumatorëve kanë ndryshuar plotësisht”, ka thënë Piotr Dworczak, profesor i asociuar i ekonomisë në Universitetin Northwestern.

Analiza që u ka bërë Reuters shportave të konsumatorëve, tregon se pandemia me koronairus ka zmbrapsur modelin e vjetër për dekada të konsumatorëve, duke nisur nga ushqimi e deri te veshjet.

Ky realitet u ka dhënë fuqi disa kompanive që të rrisin çmimet dhe t’i kthejnë mbrapsht zbritjet.

Sipas specialistëve të shitjeve, shumë prej trendeve të reja mund të jenë rezultat i një faktori: puna nga shtëpitë.

Ekonomia e bazuar nga kërkesat e konsumatorit ka ndryshuar pothuajse brenda natës. Rritja e kërkesës për disa produkte të caktuara si dhe problemet globale të furnizimeve zinxhirore, kanë ndikuar në rritje të çmimeve.

Amerikanët tani janë duke bërë më shumë kërkesa për kafe, vezë, proshutë të prerë, salcë domatesh dhe djath, është thënë në analizën e kryer nga Reuters, marrë parasysh të dhënat e fundit të kompanive, Nielsen Co, the Brewers Association dhe StyleSage Co.

Megjithatë, situata me raste është komplekse, pasi disa ndryshime të shprehive janë në kundërshtim me paqartësitë e mëdha ekonomike në gjithë globin.

Kjo pasi kërkesat dhe çmimet janë rritur edhe për produkte të shtrenjta si atlete Nike, 106 dollarë, veshje për joga, 105 dollarë apo edhe çanta të markës Louis Vuitton në vlerë të 1,500 dollarëve.

Ekonomistët e arsyetojnë këtë sjellje me faktin se shumë persona, në pamundësi që të shpenzojnë jashtë shtëpisë, kanë më shumë para në duar.

“Nëse e analizojmë situatën e konsumit tani, në mënyrë të çuditshme, ata që kanë ruajtur vendet e punës kanë më shumë para në dispozicion”, ka thënë Nirupama Rao, profesoreshë e ekonomisë dhe politikave publike në Universitetin e Miçiganit.

“Natyrisht se po përballemi me shumë humbje të vendeve të punës, mirëpo një pjesë e njerëzve vazhdojnë të punojnë dhe të fitojnë”.

“Presion i pashembullt”

Konsumatorët kanë paguar rreth 8 për qind më shumë për kafe, sipas të dhënave të kompanisë Nielsen.

Kërkesa për salcë domatesh është rritur për 10 për qind, derisa për proshutë të prerë për rreth 5 për qind.

Një kërkesë e tillë ka ndikuar që shumë kompani të mëdha të pezullojnë vendimet për promocione dhe të përdorin fuqinë e tyre për të përfituar në kohën e kësaj krize shëndetësore, që ka rezultuar me humbje të miliona vendeve të punës.

Të plotë mund ta lexoni në REL