Lifestyle

Gratë mund të kenë reagim më të fortë imunitar ndaj COVID-19

Gratë kanë më shumë gjasa që të krijojnë reagim më të madh dhe më të fortë të sistemit imunitar kundër koronavirusit të ri, në krahasim me burrat, ka treguar në studim i ri, duke e ofruar një shpjegim të mundshëm pse burrat kanë qenë më të prekur dhe janë sëmurë më rëndë nga COVID-19.

Gjetjet e publikuara në gazetën “Nature” kanë bërë të ditur se në nivel global burrat përllogaritet se përbëjnë 60-përqindëshin e të gjitha vdekjeve të ndërlidhura me COVID19 – sëmundje kjo e sistemit të frymëmarrjes e shkaktuar nga koronavirusi i ri SARS-Cov-2, transmeton KOHA shkrimin e Al-Jazeeras.

“Ajo që kemi zbuluar është se burrat dhe gratë me të vërtetë kanë zhvilluar tipa të ndryshëm të reagimit imunitar ndaj COVID-19”, ka thënë Akiko Iwasaki, autore udhëheqëse e studimit dhe profesoreshë në Universitetin e Yales në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ekspertja e imunologjisë ka bërë të ditur se “këto ndryshime mund të fshihen prapa dyshimeve për sëmundje më të rëndë mes burrave”.

Studiuesit kanë mbledhur mostra nga hunda, pështyma dhe gjaku i pjesëmarrësve që nuk kanë qenë të infektuar, si dhe nga pacientët tanimë të sëmurë, të cilët ishin trajtuar në Spitalin e Ri të Haven Yale të SHBA-së.

Studiuesit kanë konstatuar se gratë kanë pasur reagim më të fortë imunitar, kryesisht falë prodhimit të qelizave T, të cilat janë një tip i gjakut të bardhë që mund t’i identifikojnë viruset dhe t’i eliminojnë ato.

E këtillë ka qenë gjendja edhe në mesin e grave të moshuara, ka treguar po ashtu studimi. Në anën tjetër, burrat e moshuar kanë pasur aktivitet më të dobët të qelizave T dhe mes tyre sa më e shtyrë ka qenë mosha, aq më i dobët ka qenë reagimi.

Mbi të gjitha, burrat kanë prodhuar po ashtu edhe më pak citokina, të cilat janë proteina inflamatore që formojnë një pjesë tjetër të mbrojtjes natyrore të sistemit imunitar të trupit.