Lifestyle

Kërkohen 4.000 vullnetarë për koncertin - hulumtim për koronavirusin

Shkencëtarët nga Gjermania janë duke i kërkuar 4.000 vullnetarë që të marrin pjesë në një koncert, i cili do të ndihmojë në vlerësimin e rrezikut të bartjes së koronavirusit nëpër manifestime ku mblidhen numër i madh i njerëzve.

Shkencëtarët shpresojnë që do të rekrutojnë 4.000 pjesëmarrës, të cilët më 22 gusht do të mblidhen në arenën e Leipzigut. Vullnetarët duhet të jenë të moshës prej 18 deri 50 vjeç dhe të kenë test negativ për virusin.

Koncertin do ta mbajë këngëtari i njohur i muzikës pop Tim Bencko në mënyrë që “publiku të ndihet dhe të sillet sa më natyrshëm që të jetë e mundur”, shkruan DW të shtunën.

Pjesëmarrësit duhet të mbajnë maska “FFP2” dhe do të përdoren edhe dezinfektues me UV dritë, të cilat pos mbrojtjes, do t’u mundësojnë shkencëtareve që të përcjellin se cilat sipërfaqe preken më së shumti nga publiku.

Por më e rëndësishmja është se pjesëmarrësit do të kenë një pajisje e cila i përcjellë lëvizjet e tyre dhe largësinë nga pjesëmarrësit tjerë, transmeton KOHA.

Organizatorët planifikojnë të testojnë tre skenarë të mundshëm. Skenari i parë do të jetë grupi i kontrollit, që do të thotë çdo gjë si para pandemisë, ku publiku do të hyjë nëpër dy dyert kryesore dhe nuk do të ketë distancë. Skenari tjetër është me kufizime, hyrje më të ngadalshme, masa më të rrepta higjienike dhe distancë. Ndërsa skenari i tretë është me vullnetarët të cilit janë të ulur në tribuna në largësi prej 1.5 metra.

Ky projekt do të ndihmojë në “identifikimin e kushteve në të cilat do mund të mbahen manifestimet e mëdha sportive dhe të artit që nga 30 shtatori, kur këso manifestime do të duhet të lejohen në Gjermani.

Pos kësaj, ky eksperiment do të ndihmojë në kuptimin më të mirë se me sa persona ka kontakt vizituesi pas një koncerti të tillë”, kanë thënë shkencëtarët.

Ata shpresojnë se ky eksperiment do të ndihmojë në gjetjen e një modeli matematikor i cili do të mund të përdoret për ndalimin e përhapjes së infektimit nëpër manifestime me numër të madh të vizitorëve. Rezultatet e para priten të merren deri në gjashtë javë pas koncertit, pra në fund të shtatorit.