Lifestyle

Vullnetarët çekë prodhuan respiratorë funksionalë brenda pak ditëve

Tomas Kapler nuk dinte ndonjë gjë për respiratorët, ai është një këshilltar i biznesit online, e jo inxhinier apo teknik mjekësor. Por, kur e pa se si mungesa e respiratorëve kishte ndikuar në vdekjen e pacientëve me COVID-19 në veri të Italisë, ai iu fut punës.

“Ishte e rëndë për mua se në mungesë të pajisjeve mjekët duhet të vendosnin se cili person duhet të ketë mundësinë që të jetojë. Më dukej shumë e tmerrshme, kështu që vendosa të bëja diçka”, ka thënë Kapler, raporton agjencia AP.

Kështu që ai veproi.

“Thjeshtë i thashë vetes: ‘A mund thjeshtë të bëjmë respiratorë?’”, ka shtuar ai.

Kështu që ai bëri bashkë një skuadër prej 30 çekëve për të zhvilluar respiratorë plotësisht funksional, të cilit i ka dhënë emrin Corovent. E bënë këtë brenda pak ditëve.

Kapler është anëtar i grupit joformal të vullnetarëve të formuar nga kompanitë e teknologjisë dhe ekspertëve, që i kanë ofruar ndihmë shtetit për të luftuar pandeminë. Virusi në Çeki ka goditur pak më vonë se në perëndim të Evropës, por numri i të infektuarve po rritej dhe nuk kishte kohë.

“Dukej se nga fundi i marsit dhe fillimit i prillit, do të ishim në situatën e njëjtë si Italia”, ka thënë Kapler.

Respiratorët janë bërë shumë të vlefshëm. Çmimet po rriteshin dhe po ashtu edhe kërkesat sa që prodhuesit e zakonshëm nuk po arrinin të prodhonin sa kishin kërkesa.

Po ashtu kishte edhe mungesë të pjesëve për ndërtimin e një respiratori. Kështu që Kapler tha se vendosi “të ndërtonte një respirator nga pjesët që përdoren në makina të zakonshme”.

Një mbledhje e fondeve siguroi që financat të ishin në dispozicion brenda pak orëve.

Kapler e kontaktoi për ndihmë Karel Roubikun, një profesor në Inxhinierinë Biomjekësore në Universitetin Teknik të Çekisë. Ai, nëpërmjet Skypet kontaktoi kolegët, ndërsa studentët e tij testuan dizajnin e ri në laboratorin në Kladno, në perëndim të kryeqendrës Pragë.

Kishin punuar në prototip për pesë ditë, një gjë për të cilën zakonisht duhet një vit.

Roubik ka thënë se dizajni i thjeshtë e bën makinën të besueshme, jo të shtrenjtë dhe po ashtu lehtësisht të operueshme dhe të mundshme të prodhohet në masë.

Një grup i pilotëve vullnetarë me aeroplanët e tyre transportuan respiratorët kudo që kërkoheshin. Dhe më pas MICO, një kompani energjetike dhe kemikateve në Trebic, 200 kilometra nga Kladno, ofroi të bëjë prodhimin.

Fluturimet mes dy vendeve ndihmuan që brenda pak javëve të bëhej i mundshëm prodhimi.

“Nuk bëra asgjë më tepër sesa ata njerëz që po prodhonin maskat e fytyrës”, ka thënë shefi ekzekutiv i MICO-s, Jiri Denner. “Ata bënë maksimumin që ishte e mundur. Dhe unë bëra maksimumin po ashtu”.

Pasi mori certifikimin për përdorim emergjent nga Bashkimi Evropian, respiratori ishte i gatshëm në prill. Por, nuk ishte nevoja e përdorimit në Çeki, që arriti ta mbante nën kontroll përhapjen e koronavirusit.

MICO dorëzoi një kërkesë për aprovim për përdorim emergjent të respiratorit në SHBA, Brazil, Rusi dhe shtete tjera. Ndërkohë, aplikoi edhe për certifikim të BE-së për përdorim të zakonshëm në spitale.

“Fillimisht ne menduam se do të jetë një respiratorë vetëm për Çeki. Por, më vonë doli se respiratorët janë të nevojshëm në gjithë botën”, ka deklaruar Kapler.

Kapler shikon me satisfaksion gjithë angazhimin.

“U desh të hiqja dorë nga puna ime dhe kam disa muaj që nuk marrë pagë. Por, përndryshe, ishte kryesisht pozitive për mua. Kam takuar njerëz fantastik që ishin të gatshëm të ndihmonin”, ka thënë ai.