Lifestyle

Deksametazoni, ilaç i lirë dhe efektiv për të prekurit me COVID-19

Ky ilaç i lirë dhe që tashmë gjendet në treg mund të ndihmon në shpëtimin e jetëve të pacientëve që janë shumë të sëmurë nga COVID-19, ka raportuar BBC-ja të martën.

Trajtimi me deksametazon, ilaç me doza të vogla steroidi, është zbulim i madh në luftën kundër virusit vdekjeprurës, thonë ekspertët e Britanisë.

Gjatë testimeve, ky ilaç zvogëloi rrezikun nga vdekja për një të tretën e pacientëve që ishin në ventilatorë. Për pacientët në oksigjen, e zvogëloi rrezikun për një të pestën e tyre, transmeton KOHA.

Nëse do të ishte përdorur ky ilaç që nga fillimi i pandemisë, do të shpëtoheshin deri në 5.000 jetë, vlerësojnë shkencëtarët.

Gjithashtu ky ilaç mund të ndihmojë shumë në shtetet e varfra që kanë numër të madh të pacientëve me COVID-19.

Ilaçi tashmë përdoret për të zvogëluar inflamacionet në shumë sëmundje tjera dhe duket se ndihmon në ndaljen e dëmit që i shkaktohet trupit kur sistemi imunitar lufton shumë dhe arrin kulmin derisa përpiqet të luftojë koronavirusin. Ky reagim i trupit mund të jetë vdekjeprurës.

Në testimet e bëra nga një ekip i Unversitetit të Oxfordit, rreth 2.000 pacientë nëpër spitale kanë marrë terapinë me deksametazon dhe janë krahasuar me 4.000 pacientë tjerë që nuk e kanë marrë këtë ilaç.

Për pacientët në ventilatorë e zvogëloi rrezikun nga vdekja nga 40% në 28%. Për pacientët që kishin nevojë për oksigjen, rreziku u zvogëlua nga 25% në 20%.

Shkencëtari kryesor i studimit prof. Peter Horby tha: “Deri më tash ky ilaç është i vetmi i cili ka treguar ulje të rrezikshmërisë për vdekje. Është një zbulim i madh”.

Hulumtuesi udhëheqës i këtij studimi prof. Martin Landray tha se ilaçi ka benefite të dukshme.

“Trajtimi zgjatë dhjetë ditë dhe kushton rreth 5 euro për pacient. Pra me 35 euro shpëtoni një jetë. Ky ilaç është në dispozicion në tërë botën”, tha ai.

Sidoqoftë deksametazoni nuk është treguar efektiv për njerëzit me simptome të buta, pra ata që nuk kanë vështirësi me frymëmarrje.