Lifestyle

Mendimet negative shtojnë rrezikun për t’u prekur nga demenca

Një hulumtim i kryer nga universiteti “UCL” në Londër dhe i publikuar në portalin, “Alzheimer's & Dementia”, ka gjetur lidhshmëri mes asaj që shkencëtarët e quajnë “mendim i vazhdueshëm negativ” dhe shfaqja e sëmundjes së njohur si demenca, sidomos tek personat mbi moshën 55-vjeçare, transmeton Koha.

Autorja kryesore e këtij hulumtimi, Dr. Natalie Marchant ka thënë: “Depresioni dhe ankthi në moshë të mesme dhe moshë të shtyrë, tashmë njihen si faktorë të rrezikshëm për demencën. Në hulumtimin tonë kemi zbuluar që disa modele të të menduarit të implikuara në depresion dhe ankth mund të jenë arsyeja pse njerëzit që vuajnë nga këto çrregullime, kanë më shumë gjasa të sëmuren nga demenca.

Këto janë disa këshilla për njerëzit që duan t’i largojnë këto mendime të vazhdueshme negative:

Mos besoni gjithçka që e mendoni

Vetëm pse e keni një mendim, nuk do të thotë se është i vërtetë. Kur e vëreni se jeni duke u treguar shumë të ashpër me veten apo po keni mendime negative, atëherë preferohet të ndaloni për pak minuta dhe pyesni veten nëse ai mendim është i saktë. A keni fakte për ta mbështetur atë? Mos jeni duke paragjykuar? A po e shihni realitetin e vërtetë apo thjeshtë po përqendroheni në skenarin më të keq të mundshëm?

Pra, mos hezitoni t’i luftoni mendimet negative sepse jo gjithmonë janë të bazuara në fakte.

Pyesni veten nëse do t’i flisnit një miku në të njëjtën mënyrë

Shpesh ne i themi vetes gjëra të cilat nuk do të ëndërronim kurrë t’ia themi të tjerëve. Prandaj, herën tjetër kur jeni duke u sforcuar me mendime të rënda dhe negative, provoni ta trajtoni veten me të njëjtin kujdes dhe dhembshuri siç do ta trajtonit një mik të afërt.

Provoni ta kuptoni se nga vjen kjo autokritikë

A po ju duket sikur po mundoheni t’i vërtetoni vetes apo të tjerëve diçka? A mund t’i gjurmoni fillimet e këtyre shprehive apo mendimeve negative? Terapia është një hap i mirë që ndihmon në eksplorimin e eksperiencave të hershme dhe asaj se çfarë ndikimi mund të kenë ato, tek ju sot.

Kushtoni vetes më shumë kohë

Përkushtohuni ta bëni së paku një gjë në ditë vetëm për mirëqenien dhe kënaqësinë tuaj. Gjithashtu është me rëndësi ta praktikoni mirënjohjen për gjërat që i keni në jetë, në vend se të fokusoheni në ato çka nuk i keni.