Lifestyle

Kthimi i nxënësve në normalitet: Çfarë duhet të kemi parasysh?

Klasat dhe korridoret janë të zbrazëta. Njësoj të heshtura janë edhe fushat sportive të shkollave. Para se të kthehemi në normalitet, profesionistët shëndetësorë thonë se duhet t’i kemi parasysh disa gjëra.

Arbënore Ulaj, psikiatre për fëmijë, tregon se koha e COVID-19 i ka shtuar edhe kërkesat e prindërve për ndihmë nga profesionistët shëndetësorë.

Pasi që ndryshimi i rutinës ka qenë i madh në këto kohë, Ulaj këshillon prindërit që të bëjnë sa më shumë aktivitete për ta kaluar një kohë sa më lehtë me të vegjlit.

Edhe kthimin e fëmijëve në normalitet ajo nuk e sheh si diçka që duhet të ndodhë menjëherë, raporton KOHA.

Ndërsa, Trëndelina Krasniqi, psikologe e shkollës “Ismail Qemali”, pret që psikologët e shkollave të takohen për të diskutuar nëse duhet të ndryshohet standardi i bisedës me fëmijët.
Periudha e pandemisë, sipas saj, nuk ka qenë e lehtë posaçërisht te nxënësit që mësojnë gjëra tërësisht të reja, si shkronjat apo njohja e mësimdhënësve të shumtë njëkohësisht.

Krasniqi shton se është mirë që prindërit të dalin me fëmijët e tyre në natyrë dhe t’i pranojnë sjelljet e tyre më lehtësisht.

Deri tash, nuk është vendosur për vlerësimin dhe notimin e nxënësve, e as për datën dhe mënyrën e regjistrimit të tyre.

Sidoqoftë, krejt kjo situatë ka qenë e re për të gjithë: mësues, nxënës dhe prindër. Por, drejtuesit e Ministrisë së Arsimit kanë deklaruar se kriteret e vlerësimit, megjithatë, nuk guxojnë të bien.