Lifestyle

Studimi amerikan: hidroksiklorikina nuk duket të ketë efekte

Një studim i fundit, i realizuar nga spitalet e New Yorkut, nuk ka gjetur dëshmi as për demin dhe as për dobinë e përdorimit të medikamentit hidroksiklorikinë për pacientët e sëmurë rëndë nga koronavirusi. “Rreziku i intubimit apo vdekjes nuk ishte shumë më i ulët apo më i lartë te pacientët që kanë marrë hidroksiklorikinë në raport me ata që nuk e kanë marrë atë”, kanë thënë autorët e studimit.

Ata kanë thënë se studimi, i publikuar të enjten në “The New England Journal of Medicine”, “nuk duhet të shihet si përcaktues se a ka apo jo efekt trajtimi me hidroksiklorikinë”. “Sidoqoftë, gjetjet tona nuk e mbështesin përdorimin e hidroksiklorikinës tash, përveç testeve klinike me parim të rastësisë në mënyrë që të provohet efikasiteti i tij”, kanë thënë ata. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka promovuar shpesh hidroksiklorikinën si trajtim për pacientët me koronavirus.

Hidroksiklorikina dhe përbërësi që lidhet me të, klorikina, janë përdorur për dekada me radhë për trajtimin e malaries, por edhe për çrregullimet e sistemit imunitar, lupusit dhe artritit reumatik. Hulumtimi u bë me pacientët të vendosur në sallat e emergjencave në spitalin “New York-Presbyterian” dhe Qendrën Mjekësore Irving të Universitetit të Columbias, me financim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, transmeton KOHA.

Për këtë studim 811 pacientë iu nënshtruan trajtimit me dy doza nga 600 miligramë hidoksiklorikinë në ditën e parë dhe 400 miligramë doza ditore për katër ditë me radhë. Përveç këtij numri, 565 pacientë të tjerë nuk i janë nënshtruar trajtimit me këtë medikament. Në bazë të krahasimit të dy grupeve “nuk ka pasur lidhje në mes të përdorimit të hidroksiklorikinës dhe intubimit ose vdekjes”, ka treguar studimi.

Ligjvënësit amerikanë kanë autorizuar javën e kaluar përdorimin emergjent të medikamentit eksperimental remdesivir për COVID-19, pasi që ka shfaqur efekte në shkurtimin e kohës së shërimit në pacientët e prekur nga koronavirusi në një test klinik të madh.