Lifestyle

Indonezianët i kthehen diellit për t’u bërë më të fortë ndaj koronavirusit

Nga ushtarët të adoleshentët në oborret e shtëpive të tyre, indonezianët po dalin në diell si kurrë më parë me shpresën se kjo do t’i mbrojë ndaj virusit.

Kjo është nxitur nga praktika e të huajve në ishullin Bali dhe është mbështetur nga pohimet e pabazuara në rrjete sociale se vitamina D që merret nga dielli mund ta ngadalësojë ose vrasë virusin, raporton AFP, transmeton KOHA.

Shpresa për këtë është rritur javën e kaluar kur një zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës tha se hulumtimet po tregojnë që rrezet e diellit e shkatërrojnë shpejt virusin. Studimi nuk është vlerësuar ende në mënyrë të pavarur, mirëpo presidenti i SHBA-së Donald Trump ka folur për këtë me entuziazëm gjatë një konference për media.

“Gjithmonë iu kam shmangur diellit sepse nuk kam dashur të nxihem”, ka thënë Theresia Rikke Astria, amvise 27-vjeçare nga kryeqyteti kulturor Xhogikarta. “

Por, shpresoj se do të ma forcojë sistemin imunitar”, shton ajo.

Mjekët kanë dyshime për këtë, mirëpo thonë se 15 minuta rrezitje në mëngjes bën mirë për shëndet.

“Ekzpozimi i trupit ndaj rrezeve të drejtpërdrejta të diellit është i mirë për marrjen e vitaminës D, por jo që ta ndalojë drejtpërdrejt sëmundjen”, thotë doktor Dirga Sakti Rambe nga spitali “OMNI Pulomas” më Xhakarta.

“Vitamina D, që vjen nga peshqit, vezët, qumështi dhe ekspozimi në rrezet e diellit është me rëndësi për mirëmbajtjen e sistemit imunitar. Por, rrezitja nuk e vret virusin që shkakton COVID-19”, thotë ai.

Pavarësisht se çka thotë shkenca: një gjë është e sigurt: nuk ka mungesë të rrezeve të diellit në arqipelagun 5.000-kilometërsh të Azisë Jug-Lindore.