Lifestyle

Rreth 6 milionë njerëz vdesin në botë çdo vit nga duhani

Çdo vit në 31 maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët organizojnë Ditën Botërore të Luftës Kundër Duhanit.

Qëllimi i kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit lidhur me rreziqet që sjell konsumi i duhanit, si dhe avokimi për ndërmarrjen e politikave efektive me qëllim uljen e konsumit të tij.

Kjo ditë është shpallur në vitin 1987 nga vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat u përpoqën të ndërgjegjësojnë opinionin mbi dëmet dhe rreziqet e duhanit, si dhe të inkurajojnë reduktimin e prodhimit dhe konsumit të duhanit.

Tema e këtij viti për Ditën Botërore të Luftës kundër Duhanit është: “Duhani, një kërcënim për zhvillimin”.

Kontrolli i duhanit mbështet shëndetin dhe zhvillimin

OBSH-ja u bën thirrje shteteve të përshpejtojnë nismat lidhur me kontrollin e duhanit, si pjesë e përgjigjeve të tyre në Axhendën e vitit 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Qëllimi i Axhendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm është që të sigurojë se askush nuk ka mbetur mbrapa. Kontrolli i duhanit është një nga mjetet më efektive që do të ndihmojë në reduktimin e një të tretës në nivel global, deri në vitin 2030, të vdekjeve të parakohshme nga sëmundjet jo të transmetueshme si sëmundjet kardiovaskulare, kanceri dhe sëmundjet pulmonare.

Kontrolli i duhanit ndihmon në arritjen e qëllimeve të tjera globale

Kontrolli i duhanit mund të ulë varfërinë, të kontribuojë në dhënien fund të urisë, të promovojë një bujqësi të qëndrueshme, rritje ekonomike, si dhe të luftojë ndryshimin e klimës. Rritja e taksave për produktet e duhanit mund të përdoret për të financuar mbulim shëndetësor universal, si dhe për të mbështetur programet e tjera të zhvillimit të qeverisë.

Nuk janë vetëm qeveritë që mund të kontribuojnë lidhur me kontrollin ndaj duhanit, por edhe individët të cilët mund të kontribuojnë në nivel individual për të bërë një botë të qëndrueshme pa duhan. Një gjë e tillë mund arrihet nëpërmjet angazhimit për të mos marrë kurrë produkte duhani. Ndërsa ata që janë përdorues mund ta lënë duhanpirjen ose të kërkojnë ndihmë, në mënyrë që të mbrojnë shëndetin e tyre dhe të njerëzve të cilët janë të ekspozuar ndaj tymit të duhanit, duke përfshirë fëmijët, anëtarët e tjerë të familjes dhe miqtë. Paratë që nuk shpenzohen për duhanin mund të përdoren për nevoja të tjera të domosdoshme, si ushqimi i shëndetshëm, kujdesi shëndetësor dhe arsimi.

Disa fakte…

Rreth 6 milionë njerëz vdesin çdo vit nga përdorimi i duhanit, një shifër e cila parashikohet të rritet në më shumë se 8 milionë në vit deri në vitin 2030 nëse nuk do të ndërmerren nisma konkrete. Përdorimi i duhanit është një kërcënim për çdo person, pavarësisht nga gjinia, mosha, raca, prejardhja kulturore ose arsimore. Konsumi i duhanit sjell vuajtje, sëmundje dhe vdekje. Ai varfëron familjet dhe ekonomitë kombëtare.

Të dhëna nga Shqipëria

Sipas Raportit Shëndetësor të Popullatës Shqiptare (2014), duhanpirja përfaqëson faktorin e tretë të rrezikut, përgjegjës për pjesën më të madhe të barrës së sëmundjeve në Shqipëri në vitin 2010, duke u renditur pas faktorëve të rrezikut të lidhur me dietën dhe presionin e lartë të gjakut. Duhanpirja ishte përgjegjëse për një rritje prej më shumë se dy herë të Nivelit të Vdekshmërisë Bruto nga kanceri i trakesë, bronkeve dhe mushkërive. Në vitin 2010, rreth 84% e vdekjeve nga këto kancere u shkaktuan nga duhanpirja.

Sipas studimit të bazuar në popullatë mbi përdorimin e substancave abuzive (2014), prevalenca e duhanpirjes aktuale rezultoi 27% (43% meshkuj kundrejt 11% në femra, P <0.001). Nga ana tjetër, prevalenca e duhanpirjes gjatë jetës ishte 41% (63% në meshkuj vs.20% në femra, P <0.001)

Në studimin e kryer me fëmijë të moshës shkollore, 11, 13 dhe 15 vjeç (2014), rezultoi se rreth 4% e fëmijëve të intervistuar raportonin konsum të rregullt të duhanit

Nga ana tjetër, në Studimin Europian në Shkolla për Drogat (ESPAD, 2015) të realizuar me nxënës të moshës 15-16 vjeç, rezultoi se rreth 345% e pjesëmarrësve kanë konsumuar duhan të paktën një herë në jetën e tyre. Prevalenca e konsumit të duhanit gjatë jetës ishte më e lartë te djemtë sesa te vajzat (47.1% vs. 24.8%, përkatësisht), në shkollat private (44.4%) sesa publike (33.6%), shkollat urbane sesa rurale (38.9% vs. 25.6%) dhe te shkollat tekniko-profesionale (61%). Krahasuar me vitin 2011, në vitin 2015 u vu re një ulje e prevalencës së duhanpirjes gjatë jetës në tërësi, me përjashtim të shkollave profesionale. Ulja midis vajzave ishte më e vogël sesa midis djemve.