Lifestyle

Ulja e tepërt përshpejton plakjen

Mund të plakeni shumë më shpejt nëse rrini ulur shumë, paralajmëron një studim i ri.

Hulumtuesit të cilët i studiuan pothuajse 1500 gra të moshuara konstatuan se ato që rrinin gjatë pjesës më të madhe të ditës dhe bënin pak ushtrime kishin qeliza që ishin biologjikisht më të vjetra për tetë vjet sesa mosha aktuale e grave.

“Studimi ynë zbuloi se qelizat plaken më shpejt me një mënyrë jetese të qëndrimit më të madh ulur. Mosha kronologjike jo gjithmonë përputhet me moshën biologjike”, tha autori kryesor, Aladdin Shadyab, nga Universiteti i Kalifornisë, Shkolla e Mjekësisë së San Diegos.

Gratë, të moshës 64 deri në 95 vjeç, iu përgjigjën pyetësorëve dhe e bartën një pajisje për shtatë ditë për ta përcjellë nivelin e tyre të aktivitetit.

Studimi nuk e krijoi ndonjë marrëdhënie shkak -pasojë midis plakjes së përshpejtuar dhe mungesës së ushtrimeve.

Megjithatë, “diskutimet në lidhje me përfitimet nga ushtrimet duhet të fillojnë kur jemi të rinj, dhe aktiviteti fizik duhet të vazhdojë të jetë pjesë e jetës sonë të përditshme ndërsa plakemi, madje edhe në moshën 80-vjeçare”, tha Shadyab në një deklaratë për shtyp të universitetit.

Në mënyrë të veçantë, studiuesit zbuluan se gratë që rrinin ulur për më shumë se 10 orë në ditë dhe kishin më pak se 40 minuta të aktivitetit fizik të moderuar-energjik në ditë kishin telomere më të shkurtra, transmeton Koha.net. Telomeret janë kapakët në fund të variacioneve të ADN-së të cilat i mbrojnë kromozomet nga dëmtimi.

Telomeret natyrshëm shkurtohen me moshën, por faktorët e shëndetit dhe të stilit të jetesës - si pirja e duhanit dhe obesiteti - mund ta përshpejtojnë procesin. Telomeret e shkurtuara janë të lidhura me sëmundje të zemrës, diabet dhe me kancer, shpjeguan studiuesit.

“Zbuluam se femrat që rrinin ulur më gjatë nuk kishin telomere më të shkurtra nëse ushtronin për të paktën 30 minuta në ditë, udhëzim ky i rekomanduar kombëtar”, tha Shadyab.

Ai dhe kolegët e tij planifikojnë studime të ardhshme për ta shqyrtuar lidhjen midis ushtrimeve dhe gjatësisë së telomereve tek të rriturit më të rinj dhe tek meshkujt.

Studimi është i publikuar në “American Journal of Epidemiology”.