Lifestyle

Ngacmimi për peshën mund të çojë në çrregullim serioz në të ushqyer

Foto: Getty Images

Ngacmimi ka fituar kohëve të fundit vëmendjen në gjithë botën për shkak të mbizotërimit dhe ndikimit që ka tek fëmijët dhe adoleshentët.

Si rezultat i kësaj, programet e parandalimit po e kundërshtojnë këtë dukuri duke mbrojtur ata që preken nga sulmet fizike, verbale, sociale e kibernetike, transmeton Koha.net.

Derisa janë identifikuar disa lloje të ngacmimeve, sjellja e “turpërimit për shkak të peshës” shpesh nuk është diskutuar.

Ngacmimi për shkak të peshës mund të çojë në rezultate negative shëndetësore, përfshirë këtu edhe çrregullimin nga të ushqyerit. Shumë njerëz që e luftojnë çrregullimin e të ngrënit si nxitës fillestar përmendin ngacmimin rreth peshës, dhe një temë e tillë ka munguar në shumë diskutime mbi ngacmimet, sipas Shoqatës Kombëtare të Çrregullimeve në të Ushqyer.

Melissa J. Pereau, drejtoreshë mjekësore dhe psikiatre në Qendrën e Mjekësisë së Sjelljes në Universitetin Loma Linda, shprehet se është e domosdoshme që fëmijët t’i mësojmë, dhe herë pas here edhe bashkëmoshatarët tanë, që as ngacmimi dhe as “turpërimi për peshën” nuk janë të pranueshme.

Hulumtimet tregojnë se deri në moshën gjashtë vjeçare, vajzat fillojnë të shprehin shqetësimet e tyre për peshën ose formën e tyre. Derisa 40-60 për qind e vajzave në shkollën fillore në SHBA janë të shqetësuara për peshën e tyre, sipas Shoqatës Kombëtare të Çrregullimeve në të Ushqyer.

Image

“Shohim shumë statistika për vajzat dhe gratë me çrregullime në të ushqyer. E vërteta është kjo: secili mund të preket nga një çrregullim në të ushqyer, secila gjini, racë apo sfond socioekonomik”, thotë Pereau.

Cili është rreziku

“Turpërimi për shkak të peshës” mund të dëmtojë edhe shëndetin psiqik edhe atë fizik. Hulumtimi tregon se stigma e peshës është një faktor për depresionin, vetëvlerësim të ulët dhe pakënaqësi të trupit.

“Të ngacmosh dikë për shkak të peshës kurrë nuk është e pranueshme. Sikur njerëzit të dinin ndikimin afatgjatë që ka ngacmimi, shpresoj se do ta mendonin dy herë për fjalët që thonë”, thotë Pereau, transmeton Koha.net. “Madje edhe në familjet apo kulturat kur në mënyrë të ‘dashur’ ngacmojnë një anëtar të familjes që është mbipeshë, mund të ketë dëm thelbësor. Gjetja e mënyrave për t’i dhënë mbështetje njëri-tjetrit në zgjedhjet për shëndetin sjellin rezultate më të mira”.

Kur dikush ngacmohet apo turpërohet për shkak të peshës së tyre, ata mund të kenë sjellje jo të shëndetshme siç janë ngrënia e tepërt, masa për të rritur peshën apo për të marrë kontrollin mbi peshë që çojnë në gjëra ekstreme.

E gjithashtu ngacmimi për peshën tek të rinjtë gjithashtu lidhet me nivele të ulëta të aktivitetit fizik dhe një qëndrim negativ për sportin.

Cila është zgjidhja

Pereau rekomandon që të eliminohen bisedat me veten që ulë nivelin vlerësimit për trupin tuaj.

“Nëse lejoni mendimet kritike dhe të pakëndshme të brendshme, ka shumë gjasë që të pranoni mendimet e të tjerëve. Flisni dhe mendoni për veten tuaj në mënyrë pozitive”, shprehet ajo.

Ajo gjithashtu thotë se është mirë që ta thoni kur ndeheni të ofenduar nga një koment.

“Derisa mund të jetë e qartë se ato komente janë shqetësuese, njerëzit nuk do ta dinë se jeni të lënduar derisa të tregoni për të”, thotë Pereau.

Nëse e shihni që një mik apo anëtar i juaj i familjes po turpërohet për shkak të peshës së tyre, Pereau thotë se nuk duhet të keni frikë të qëndroni para tyre.

“Kur vendosni të flisni kundër turpërimit nga pesha, me shumë gjasë do ta sfidoni atë sa herë që e dëgjoni”, thotë ajo.