Lifestyle

Barnat nga Serbia të pakontrolluara në Shqipëri

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka kritikuar reformat e qeverisë për ilaçet që importohen në Shqipëri. Raporti, i siguruar nga Gazeta ‘Shqip’, evidenton se Agjencia Kombëtare e Barnave nuk ka një laborator të mirëfilltë që të analizojë pikërisht këto barna. Për rrjedhojë, ilaçet që vijnë nga vende të Ballkanit, Serbia, Bosnja, Maqedonia, por edhe nga Turqia, janë të pakontrolluara.

Sipas KLSH-së, në dy vitet e fundit është përkeqësuar seriozisht cilësia e ilaçeve, dhe farmacitë e Shqipërisë janë të mbushura pikërisht me medikamente të vendeve jo anëtare të BE-së.

Nga raporti i siguruar nga Gazeta SHQIP, evidentohet mungesa e objektivave për shërbimin farmaceutik, ku politikat e ndërmarra nga qeveria për këtë sektor të mos jenë efektive. Më tej thuhet se heqja e detyrimit ligjor për importin e medikamenteve të prodhuara në vendet e Ballkanit që “ato të qarkullojnë në një nga vendet e BE-së”, duke u mjaftuar që ato të jenë të regjistruara në vendin e origjinës, i kanë ekspozuar shqiptarët ndaj produkteve që nuk vijnë nga BE-ja.

KLSH-ja thotë se përgjegjëse për këtë situatë është pikërisht Agjencia e Kontrollit të Barnave, e cila, që edhe një laborator gjysmak, nuk e ka akredituar dhe çertifikuar. Sipas saj, në dy vite, kjo Agjenci ka analizuar vetëm 12 % të barnave që duhet të analizonte, duke sjellë kaos pikërisht me medikamentet e rrezikshme. Ndërkohë, edhe farmacitë pranë spitaleve vazhdojnë të jenë të paakredituar, duke sjellë mbajtjen e ilaçeve në kushte jo të favorshme, si dhe duke ekspozuar pacientët ndaj rreziqeve.

Në raport marrin përgjigje edhe disa pyetje, si: A janë të mjaftueshme dhe të besueshme rezultatet e analizave të kryera nga laboratori pranë AKBPM? Përgjigja e saj ishte e prerë: Mungesa e certifikimit të laboratorit të AKBPM-së për kryerjen e analizave si dhe e kalibrimit të aparaturave laboratorike, ka cenuar drejtpërdrejtë saktësinë dhe besueshmërinë e rezultateve të analizave.

Raporti i ka kushtuar rëndësi edhe farmacive pranë spitaleve publike, ku thotë se Agjencia e Barnave nuk i ka kontrolluar, duke i lënë në mëshirë të fatit. Kjo mungesë ka sjellë që shumë ilaçe spitalore kanë dalë në farmaci private dhe u janë shitur qytetarëve, pa i lajmëruar më parë ata për efektet. Ndërkohë, farmacia më e madhe spitalore, ajo e QSUT, nuk është kolauduar, duke rrezikuar qindra mijëra pacientë që marrin ilaçe në spitalin më të madh në vend.

Image