Lifestyle

Turistët më dorëlëshuar në Shqipëri janë italianët, më dorështrënguarit kosovarët

Foto: LSA / ilustrim

Një turist i huaj shpenzon mesatarisht 52 euro në ditë në Shqipëri. Të dhënat e Instat-it dhe Bankës së Shqipërisë tregojnë se mes turistëve që kanë një peshë të madhe në turizmin hyrës, ata që shpenzojnë më shumë janë italianët, ndërsa ata që shpenzojnë më pak janë kosovarët. Për vitin 2018, një turist italian shpenzoi mesatarisht 81 euro në ditë gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri.

Italianët kanë gjithashtu edhe kohëzgjatjen më të madhe të vizitave në Shqipëri, me mesatarisht 6.8 ditë. Me një llogari të thjeshtë, çdo italian shpenzon mesatarisht 550 euro gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri.

Turistët e nga vendet fqinje, që përbëjnë edhe pjesën dërrmuese në turizmin hyrës, kryejnë shpenzime ndjeshëm më të ulëta. Pas italianëve, kontribuuesit më të mëdhenj në ekonominë shqiptare janë malazezët, me 60 euro shpenzime në ditë. Shpenzimet e tyre janë lehtësisht më të larta se ato të grekëve, që në Shqipëri shpenzojnë rreth 59 euro në ditë. Një turist nga Maqedonia e Veriut shpenzon mesatarisht 46 euro, ndërsa një turist kosovar 43 euro në ditë, raporton “ScanTv”.

Turistët nga vendet fqinje kanë edhe një kohëzgjatje më të ulët të qëndrimit të tyre në Shqipëri, që qëndron në intervalin mes tre dhe katër ditëve. Rrjedhimisht, edhe shpenzimi total është më i ulët dhe fillon nga 163 euro për një turist kosovar, deri në 222 euro për një turist malazez.

Statistikat nuk ofrojnë të dhëna për turistët nga vendet e tjera, që me shumë të ngjarë kryejnë shpenzime ditore më të larta, sidomos për ata që vijnë nga Evropa Perëndimore. Megjithatë, pesha e tyre specifike në turizmin hyrës është ndjeshëm më e ulët krahasuar me vendet fqinje.

Nga ana tjetër, një shqiptar shpenzon mesatarisht 46 euro në ditë gjatë vizitave të tij jashtë vendit. Po të llogarisim se kohëzgjatja mesatare e qëndrimit jashtë është 5.9 ditë, atëherë shpenzimi i shqiptarëve për një udhëtim jashtë vendit është mesatarisht rreth 270 euro.