Lifestyle

Ujësjellësi nuk përgjigjet për cilësinë e ujit të pijes në krojet jashtë rrjetit të tij

Foto: Alban Bujari / Koha

Cilësia e ujit në disa nga krojet publike në Kosovë, i cili përdoret për pije nga shumë qytetarë, rezulton të mos jetë shumë i sigurt, bazuar ne analizat që i bën Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

E zyrtarë të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” thonë se uji në krojet që janë të lidhura me rrjetin e ujësjellësit është i sigurt për pije. Ndërsa për krojet e tjera, që kanë burime vetjake, Ujësjellësi nuk ka kompetenca te bëjë kontrollin e cilësisë së ujit në to.

Kryeshefi i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu, tha se disa nga krojet publike që janë në qytet, e që janë të kyçura ne rrjetin e ujësjellësit, uji është i përdorshëm për pije. Ndërsa ne krojet e tjera që kanë burime vetjake ujësjellësi nuk ka kompetenca të japë të dhëna për cilësinë tyre.

“Ka edhe kroje të cilat kanë burime vetjake kryesisht në viset malore, ose puset nëntokësore, për ato kroje Ujësjellësi nuk ka kompetenca te bëjë kontrollin e tyre dhe të japë rezultate se çfarë kualiteti është ai ujë. Këto të dhëna mund të merren nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik”, tha Abdullahu.

E në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Burbuqe Nushi-Latifi, koordinatore nga Qendra e Monitorimit të Ujit për pije, tha për Radio Kosovën se sipas analizave të kohëpaskohshme, që ua kanë bërë krojeve publike, rezulton një shpërputhje me standardet e parapara për ujin e pijshëm.

“Sa u përket krojeve publike, ato të cilat janë në sisteme të kompanive (p.sh. kroi i Shatërvanit në Prizren), përcjellja bëhet në përputhje me planin e monitorimit. Krojet e tjera të cilat kanë burimin natyror të kaptuar (siç është rasti p.sh. i krojeve të Gërmisë apo i krojeve në Matiçan) ne kemi marrë mostra të kohëpaskohshme dhe analizat rezultojnë me shpërputhje me standardet e parapara për ujin e pijshëm”, tha Nushi-Latifi.

IKSHPK, Qendra për Monitorimin e Ujit për Pije, thotë se garanton cilësi të ujit për konsum në zonën e furnizimit të monitoruar nga ekipet e institutit në shtatë (7) qendra rajonale në Kosove. Ndërsa, sa u përket krojeve publike, të cilat kanë burime vetjake, ato janë përgjegjësi pushtetit komunal, përkatësisht Inspektoratit sanitar komunal.