Shqisa e dobët e nuhatjes lidhet me rrezik 50 për qind më të lartë të vdekjes

Shqisa e dobët e nuhatjes lidhet me rrezik 50 për qind më të lartë të vdekjes

19 May 2019 09:11

Të pasurit e një shqise të dobët të nuhatjes mund të nënkuptojë shëndet të dobët për njerëzit në moshë të shtyrë, thotë një studim i ri. 

Të rriturit më të moshuar me një shqisë të dobët nuhatjeje e kishin një rrezik 46 për qind më të lartë të vdekjes brenda 10 vjetëve, sipas një studimi të publikuar të martën në “Annals of Internal Medicine”. 

Për më tepër, 30 për qind kishin rrezik më të lartë të vdekjes pas 13 vjetësh, shkruan sot Koha Ditore.

"Nervi i nuhatjes është i vetmi nerv kafkor i cili ekspozohet drejtpërdrejtë ndaj mjedisit, dhe është i ndjeshëm ndaj pengesave nga kushtet që kontribuojnë në vdekshmëri, duke përfshirë sëmundjet, lëndimet traumatike të trurit dhe sëmundjet neurodegjenerative", shkruajnë autorët. 

"Këta faktorë e kanë nxitur një fokus në rritje në marrëdhëniet midis dëmtimeve, sëmundjeve dhe rrezikut të vdekjes tek të rriturit e moshuar". 

Për studimin, hulumtuesit u kërkuan 2.289 të rriturve në mes moshave 71 dhe 82 vjeç që t’i dallojnë 12 aroma. Ata e vlerësuan shqisën e nuhatjes së pjesëmarrësve si të mirë, të moderuar ose të dobët. Shumë faktorë mund të kontribuojnë në rënien e shqisës së nuhatjes, si dementia ose sëmundja e Parkinsonit, të cilat janë të lidhura me një rrezik më të lartë të mortalitetit prej 22 për qind. 

Një studim i vitit 2017 i kryer në Suedi e mbështeti lidhjen mes shqisës së dobët të nuhatjes dhe rrezikut të vdekjes, por sugjeroi se dementia nuk është faktor i fortë në mes të këtyre të dyjave. 

Derisa të rriturit më të moshuar rrallë ekzaminohen për shqisën e nuhatjes, hulumtuesit shpresojnë që mjekët do ta marrin në konsideratë këtë praktikë për ekzaminimet e rregullta. 

"Shqisa e nuhatjes e lehtëson detektimin dhe identifikimin e ushqimit të prishur dhe rreziqet e paqëndrueshme mjedisore, ndikon në kujdesin e shëndetshëm dhe higjienën personale dhe ndikon në statusin ushqimor nëpërmjet ndikimit të tij në oreksin dhe sjelljen ushqyese", shkruajnë autorët e studimit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme