Lifestyle

Studim për diabetin, Katari krijon dosjen me pacient nën 18 vjeç

Foto: Ilustrim

Në një spital të Dohës po zhvillohet një studim që mund të transformojë mënyrën se si përballet Katari me njërin prej problemeve të tij më të vështira të shëndetit: diabetin.

Një ekip i vogël, i drejtuar nga profesori Khalid Hussain është duke regjistruar të miturit deri në 18 vjeç të prekur nga kjo sëmundje në një databazë kombëtare, gjë që, sipas tij, është unike në rajon e ndoshta dhe në botë.

“Ajo që ne po tentojmë është rekrutimi i çdo fëmije me diabet në Katar në projektin tonë studimor. Qëllimi është të shohim sa të mitur vuajnë nga kjo sëmundje kronike, të saktësojmë tipin e saj dhe të kontrollojmë sa e marrin trajtimin ashtu siç duhet”, deklaroi Hussain.

“Duke kuptuar siç duhet situatën e tyre, ne mund të ndryshojmë realisht diçka në jetët e pacientëve tanë”, shtoi Hussain.

Sipas OBSH-së, numri i njerëzve të sëmurë me diabet në mbarë globin është rritur nga 108 milionë që ishte në 1980 në 422 milionë në vitin 2014 dhe Katari nuk përbën përjashtim. Dietat ushqimore jo të përshtatshme, pijet me sheqer dhe mungesa e aktivitetit fizik, së bashku me martesat mes personave me lidhje familjare apo faktorin gjenetik, citohen të gjitha si arsye të shtimit të rasteve të diabetit në rajon. KsP