Lifestyle

Si ndikon ndotja e ajrit në shtimin e astmës, masat që duhet të ndërmerren

Ndotja e ajrit është një nga shkaktarët kryesor për personat e sëmurë me astmë bronikiale.

Ekspozimi i tyre në mjedise të ndotura, në zona e urbanizuara, sidomos në orët e trafikut të dendur është një prej faktorëve që çon në rëndimin e gjendjes së tyre shëndetësore, për të cilën mjekët thonë se për pacientët rritet kostoja duke u shtuar edhe numri i medikamenteve që përdorin.

E sipas mjekes, Kleita Elezaj Xhafaj mund të ketë një rëndim të gjendjes së tyre shëndetësore, mund të kenë kollë, vështirësi në frymëmarrje që çon në nevojën e tyre për t’u paraqitur më shpesh te mjeku specialist.

Mjekja Kleita Elezaj Xhafaj jep disa këshilla për eliminimin e pasojave nga ndotja e ajrit, raporton OraNews.

“Të evitojnë ecjen apo qëndrimin e tyre në këto zona ku piku i trafikut është në maksimum. Dhe aktivitetet sportive të bëhen sa më afër zonave të gjelbëruara”, thotë ajo.

Instituti Amerikan për Efektet në Shëndet në një studim për ndotjen e ajrit ka analizuar rastin e Shqipërisë, ku vendi duket se ka bërë hapa përpara për uljen e ndotjes së ajrit nga viti në vit, por numri i viktimave si pasojë e tij ka ardhur duke u shtuar.

Në vitet 1990 janë regjistruar rreth 500 vdekje, ndërsa në vitin 2017 numri i viktimave të diagnostikuar me sëmundje të frymëmarrjes dhe kardiovaskulare është rritur vazhdimisht duke arritur në 846.