Proceset në tru ndikojnë në sindromën e zemrës së thyer

Proceset në tru ndikojnë në sindromën e zemrës së thyer

24 March 2019 09:36

Edhe pse deri më tani supozohej se kjo është një gjendje e pabazuar nga ana mjekësore, shkencëtarët kanë arritur kohët e fundit në përfundimin se ekziston një gjendje e përshkruar si sindroma e zemrës së thyer.

Zemra juaj mund të dëmtohet pas ndonjë ngjarjeje të pikëllueshme, ndërsa hulumtuesit zviceranë i kanë studiuar personat me çrregullimin e rrallë dhe të pazakontë të quajtur sindroma e zemrës së thyer.

Ky dobësim i zemrës ndodh papritur, shpesh pas ndonjë ngjarjeje stresuese ose emocionale. Megjithëse dihet pak, teksti në revistën “European Heart Journal” sugjeron se kjo është në fakt një përgjigje ndaj stresit, transmeton “Koha Ditore”.

Kjo gjendje është e njohur edhe si sindroma takotsubo, i cili i referohet formës së zemrës tek njerëzit me këtë gjendje, e cila i ngjan ibrikut japonez me po të njëjtin emërtim. Ajo dallon nga sulmi në zemër i cili shkaktohet nga bllokimi i enëve të gjakut, por ka simptoma të ngjashme, duke përfshirë vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje gjoksi. Shpesh shkaktar është ndonjë ngjarje fatkeqe, por gjithashtu përfshin ngjarje të gëzueshme si martesa apo puna e re.

Sindroma e zemrës së thyer mund të jetë i përkohshme me një periudhë të shërimit të muskulit të zemrës gjatë ditës, javës ose disa muajve, por për disa mund të jetë vdekjeprurës, raporton BBC.

Mekanizmi i saktë mjekësor i shfaqjes së kësaj sindrome ende nuk dihet, por ekspertët besojnë se mund të lidhet me nivelet e larta të hormonit adrenalinë.

Dr. Jelena Ghadri dhe kolegët e saj në Spitalin Universitar të Cyrihut monitoruan se çfarë ndodhte në trurin e 15 personave me sindromën e zemrës së thyer.

Skanimi i trurit të njerëzve me këtë sindromë tregoi dallime të konsiderueshme në raport me skanimin e 39 personave të shëndetshëm të grupit të kontrollit. Tek personat e prekur kishte pasur më pak komunikim mes zonave të trurit të përfshira në kontrollin e emocioneve dhe reagimeve të pavetëdijshme ose automatike të trupit, siç janë rrahjet e zemrës. Këto zona të trurit janë ato që mendohet se e kontrollojnë reagimin tonë ndaj stresit.

“Emocionet procesohen në tru, prandaj është e mundur që gjendja të vijë pikërisht nga truri”, shtoi Ghadri.

Shkaku i saktë i origjinës ende nuk është kuptuar plotësisht, kështu që nevojitet më shumë punë rreth kësaj. Skanimi i trurit të pacientit para ose në kohën kur zhvillohet sindroma e zemrës së thyer nuk ishte i disponueshëm prandaj hulumtuesit nuk mund të thonë nëse komunikimi i reduktuar midis zonave të trurit e shkaktoi sindromën.

Mendohet se çdo vit në Britani të Madhe, ky grup i simptomave i prekë afro 2.500 persona.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme