Lifestyle

Speci djegës na ndihmon të dobësohemi

Descriptive Text

Është i bukur ta shohësh, me ngjyrën e kuqe e ndezur, dhe ka aftësinë të zbukurojë pjatën me shijen e saj pikante. Speci djegës ka shumë përfitime që njihen që nga kohët antike, kur shërbente si antinuerologjik dhe për të ruajtur ushqimet.

Por tashmë një studim i universitetit të Maastricht ka zbuluar se dy gramë në ditë nga ky përbërës stimulon metabolizmin dhe redukton ndjesinë e urisë, thekson studimi, që e transmeton TCH. Kjo është një ndihmë e mirë për ata që duan të humbin peshë, dhe për ata që janë në dietë.

Speci djegës është një bimë me origjinë nga amerika jugore dhe qendrore. Në Europë mbërrit pas zbulimit të Kontinentit të Ri, falë lehtësisë së kultivimit, tashmë është i përhapur në të gjithë botën.

Në historinë e saj mijëravjeçare, speci djegës përdoret pothuajse në të gjitha fushat që i interesojnë njeriut, që nga mjekësia e erosit, tek magjia e mjekësisë popullore. Është konsideruar dhe si frut i shenjtë, si një ilaç për sëmundje, por edhe si afrodiziak, si përbërës i riteve të shenjta, e madje dhe si mjet torture.

Kohët e fundit është objekt i shumë studimeve shkencore që kanë risjellë në vëmendje përfitimet e tij, ku i fundit është studimi i universitetit të Maastricht, për vetitë e specit djegës në reduktimin e urisë dhe stimulimin e metabolizmit, duke ndihmuar në djegien e kalorive.

Vetitë e tij dietike sipas ekspertëve i dedikohen një substance me të cilën është e pasuar, Capsaicina. Është ajo që i jep shijen degëse që të jep ndjesinë e djegies edhe sikur të kesh një sasi shumë të vogël. Nga kjo substancë varet edhe rritja e temperaturës së trupit dhe ulja e ndjesisë së urisë, duke u bërë një aleat i çmuar në luftën kundër kileve të tepërta.

Përveç të tjerash speci djegës ka dhe veti antibakteriale, redukton kolesterolin dhe oksidimin e yndyrave. Por nuk është shumë i rekomandueshëm për ata që kanë probleme me ezofagun apo sëmundjet e stomakut.