Lifestyle

Furnizimi i pacemakerit nga rrahjet e zemrës së pacientit

Descriptive Text

Pacemakerët e implantueshëm e kanë ndryshuar pa dyshim mjekësinë moderne, duke shpëtuar jetë të panumërta përmes rregullimit të ritmit të zemrës. Por ato e kanë një të metë serioze: bateritë e tyre zgjasin vetëm pesë deri në 12 vjet, dhe pastaj duhet të zëvendësohen kirurgjikisht. Tani, hulumtuesit e kanë zgjidhur këtë çështje duke e dizajnuar një pacemaker i cili furnizohet me energji përmes rrahjeve të zemrës, sipas një raporti në ACS Nano. Pajisja është testuar me sukses në derra, të cilët e kanë një fiziologji të ngjashme me njerëzit.

Pacemakeri konvencional implantohet menjëherë nën lëkurë afër klavikulës. Bateria dhe qarqet e tij gjenerojnë sinjale elektrike që dërgohen në zemër përmes elektrodave të implantuara. Për shkak se operacioni për ta zëvendësuar baterinë mund të çojë në komplikime, duke përfshirë infeksionin dhe gjakderdhjen, studiues të ndryshëm janë përpjekur të ndërtojnë pacemakerë që e përdorin energjinë natyrore të rrahjeve të zemrës si një burim alternativ energjie. Megjithatë, këto pajisje eksperimentale nuk janë mjaft të fuqishme për shkak të strukturës së tyre të ngurtë, vështirësive me miniaturizim dhe të metave të tjera, kështu që Hao Zhang, Bin Yang dhe kolegët e tyre kërkuan mënyra të tjera për ta përmirësuar teknologjinë, shkruan KOHA Ditore.

Image
Një pajisje e vogël, fleksibile, mund ta furnizojë pacemakerin me energji nga rrahjet e zemrës (American Chemical Society)

Së pari, ata e dizajnuan një kornizë të vogël plastike fleksibile. Më pas e lidhën kornizën me shtresa piezoelektrike, të cilat gjenerojnë energji kur lakohen. Ata e implantuan pajisjen në derra dhe treguan se rrahjet e zemrës mund ta ndryshonin formën e kornizës, duke krijuar energji të mjaftueshme për ta përkrahur performancën e pacemakerit që punon me bateri. Studimi është një hap drejt bërjes së një pacemakeri kardiak vetë-furnizues, thonë hulumtuesit.