Trajtimi eksperimental anti-plakje kalon provën e parë njerëzore

Trajtimi eksperimental anti-plakje kalon provën e parë njerëzore

19 February 2019 13:05

Jo të gjitha qelizat e dëmtuara vdesin. Disa qeliza plaken dhe janë të paafta të ndahen, por ende janë në gjendje të prodhojnë sinjale kimike - dhe ato mund ta luajnë një rol të madh në luftën kundër plakjes.

"Mendohet se këto qeliza dhe substancat që ato i prodhojnë janë të përfshira në procesin e plakjes", tha për MIT Technology Review hulumtuesi i jetëgjatësisë Nicolas Musi nga Universiteti i Teksasit në Austin, shkruan KOHA Ditore.

"Ideja është që heqja e këtyre qelizave mund të jetë e dobishme për promovimin e plakjes së shëndetshme dhe gjithashtu për t’i parandaluar sëmundjet e plakjes".

Bazuar në rezultatet e një prove shumë të hershme, mund të ketë pak të vërtetë në këtë teori.

Në janar, Musi dhe kolegët e tij i publikuan rezultatet e një prove në të cilën i trajtuan 14 pacientë që vuanin nga fibroza pulmonare idiopatike (IPF) me një kombinim ilaçesh për të cilin besonin se do t’i pastronte qelizat e plakura.

Gjatë tre javëve, pacientët i morën nëntë doza të një ilaçi për leukemi të quajtur dasatinib dhe një suplementi të quajtur quercetinë.

Nga fundi i provës, pacientët thuhet se ishin në gjendje të ecnin më larg se sa mund të kishin ecur më parë në të njëjtën kohë dhe treguan shenja të tjera të mirëqenies së përmirësuar - të gjitha pa asnjë efekt anësor serioz, transmeton Koha.net.

"Edhe pse i vogël, ky studim pilot e shënon një përparim të madh në mënyrën se si i trajtojmë sëmundjet që lidhen me moshën siç është IPF”, - tha hulumtuesja Jamie Justice në një njoftim për shtyp.

"Këtu e kemi shënjestruar terapeutikisht një shenjë themelore dalluese biologjike të plakjes që është implikuar në IPF, dhe tregojmë rezultate të hershme por premtuese për herë të parë në pacientët njerëz".

Tani për tani, është e vështirë të thuhet nëse kombinimi i ilaçeve do të rezultonte efektiv si një terapi anti-plakje, por hulumtuesit janë të angazhuar për ta zbuluar këtë.

Ata po e testojnë tashmë trajtimin në një grup prej 15 pacientëve të mushkërive, si dhe 20 personave që vuajnë nga sëmundjet kronike të veshkave.

"Nëse shohim sinjale efektive dhe nuk hasim në efekte të këqija anësore, do të përpiqemi të arrijmë tek njerëzit me çrregullime gjithnjë e më pak kërcënuese për jetën", tha hulumtuesi James Kirkland për MIT Technology Review. "Nëse gjithçka shkon mirë."

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme